E Diel, 1 Nëntor 2026

Thellohet skandali në shoqatën Në dobi të gruas shqiptare, prokuroria nis hetimet për abuzimet me paratë

Sevim Arbana dhe Fabiola Laço

Sevim Arbana dhe Fabiola Laço

Skandalet me shoqatën Në dobi të gruas, nuk kanë të sosur. Përveç sherreve mes drejtueseve të kësaj organizate, prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për abuzimet me fondet e marra nga donatorë të huaj, që duhet të shkonin në ndihmë të grave dhe vajzave të dhunuara.

Këtë radhë, në qendër të akuzës është zëvendëspresidentja e kësaj shoqate, Fabiola Laço.

Prokuroria ka nisur hetimet pas kallëzimit të bërë nga Sevim Arbana, e cila akuzon ish- miken e saj për vjedhje fondesh. Kështu në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës thuhet se:  Me dt.22.07.2013, filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetases Fabiola Shefqet Laço, e datëlindjes 12.04.1963, lindur dhe banuese në Rrugën e Durrësit Tiranë, me arsim të lartë, sepse ndaj saj ka bërë kallëzim shtetasja Sevim Ilmi Arbana, e datëlindjes 28.09.1951, lindur dhe banuese në rrugën Pjetër Bogdani Tiranë, me arsim të lartë, se duke qenë në punë në shoqatën Në dobi të gruas shqiptare, ka falsifikuar vulën e shoqatës me qëllim që të përfitojë fonde nga donatorë të huaj. Këto fonde, sipas kallëzimit, janë përfituar nga shtetasja Fabiola Laço dhe nuk janë përdorur për shoqatën, por për nevoja personale.

Gjithashtu shtetasja e mësipërme ka bërë dhe tërheqje lekësh në banka, ato të nivelit dytë, me vulën e pretenduar si e falsifikuar.

Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të Falsifikimit te vulave, stampave apo formularëve, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

Fabiola Laço: Janë shpifje të ulëta të Sevim Arbanës

Bashkëthemeluesja e shoqatës Në dobi të gruas shqiptare, Fabiola Egro Laço, ka reaguar mbi kallëzimin penal të hapur ndaj saj.

Znj. Fabiola, ndaj jush është hapur një hetim penal, ku ju akuzoheni se keni vjedhur dhe shpërdoruar fondet e shoqatës për arsye personale, keni ndonjë koment?

Unë nuk kam asnjë dijeni për këtë fakt. Skam asnjë njoftim zyrtar, dhe deri më tani, askush nuk më ka thirrur për të sqaruar këtë situatë.

Kallëzimi ndaj jush është bërë nga Sevim Arbana.

Ajo që unë mund të them është se e gjitha kjo është një shpifje e ulët e znj. Arbana, e cila përdor të gjitha mjetet për të zhbërë një tjetër vendim gjykate, që e urdhëron atë të njohë një vendim të asamblesë së shoqatës.

Por ju akuzoheni për vjedhje fondesh dhe falsifikim të vulës?

Ju thashë janë gënjeshtra të ulëta të znj. Arbana pasi gjithçka është e vërtetueshme dhe unë besoj se, meqenëse ajo ka vënë në lëvizje dhe organet e specializuara të shtetit, shumë shpejt do të dalë e vërteta.

Cila është e vërteta?

Që janë shpifje dhe ska asnjë prove, për sa më akuzon. Megjithatë sapo të vihem në dijeni për këtë akuzë, unë do ti kundërpërgjigjem duke e akuzuar për shpifje. Them të kini pak durim se e vërteta e këtyre akuzave do të dalë në dritë. Unë skam bërë asgjë që të fshihem. Ua thashë, janë shpifje të ulëta të znj. Arbana dhe kam besim se organet e drejtësisë do të zbardhin të vërtetën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›