Qeveria e re, reagon PS: Në kabinet, 2 të kërkuar nga drejtësia
TIRANË- Qeveri të punëve të këqija e ka quajtur sot Partia Socialiste kabinetin e ri qeveritar të prezantuar dje nga kryeministri i sapomandatuar Sali Berisha. Gjatë një komunikimi me mediat deputeti i PS-së, Ditmir Bushati ka kujtuar se qeveria strehon dy të kërkuar nga drejtësia dhe tre të kërkuar nga populli opozitar.
Sipas Bushatit, Berisha ka dezinformoi opinionin publik në lidhje me kërkesat legjitime të opozitës që kushtëzojnë marrëdhëniet e PS-së me Kuvendin e Shqipërisë dhe institucionet e dala prej tij.
"Qeveria nuk mund të vazhdojë të fshihet më kokëfortësi pas gjoja procedurave ligjore dhe parimit të ndarjes së pushtetit për mos hapjen e kutive të dyshuara të 28 qershorit, pasi opozita nuk kërkon ndryshimin e pushtetit në tavolinë, por respektimin e një detyrimi kushtetues, ligjor e moral që qëndron në themel të sistemit të demokracisë dhe lirisë që është: transparenca e plotë për votën e sovranit"- tha ai.
Më tej, Bushati ka thënë se qeveria nuk mund të garantojë luftë kundër krimit të organizuar për sa kohë bashkëpunoi me krimin në zgjedhjet e 28 qershorit dhe nuk pranon hetimin e të vërtetës në lidhje me përdorimin e të burgosurve në shërbim të fushatës së saj zgjedhore.
"Shqipëria e sapo anëtarësuar në NATO dhe që troket në dyert e BE-së nuk mund të prodhojë qeverisje legjitime që lind nga një vullnet i deformuar zgjedhor dhe nga përcaktimi i sinorëve të pushtetit mes krushqve qeverisës. Sot, opozita është më e vendosur se kurrë në mbrojtje të lirisë së votës së cenuar dhe do të luftojë me çdo mjet demokratik në mbrojtje të saj"- theksoi ai.