E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Do shtetëzohen pronat e sindikatave”

 

BLEDAR HOTI

Qeveria “shtetëzon” hotelet dhe shtëpitë e pushimit të  Sindi-katave të Pavarura, që ndodhen në zonat turistike të Shqipërisë. Qeveria do të privatizojë resortet turistike shtetërore, të cilat dikur kanë qenë pronë e sindikatave. Për të realizuar këtë ekzekutivi shqiptar do të kalojë në dy faza, duke kryer shtetëzimin e këtyre pronave dhe më pas shitjen e aseteve, pas rikonstruksionit të tyre. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të Qeverisë bëri të ditur miratimin e projektligjit për të shfuqizuar ligjin numër 8340/1 si dhe dekretin presidencial i vitit 1992 “Për pasuritë e sindikatave”. Sipas kreut të qeverisë këto prona do të jenë shtetërore në shoqëri aksionere për t’u privatizuar më pas. “Është e domosdoshme që të tëra këto resurse turistike, të cilat nuk janë në pronësi të askujt sot, pasi është vetëm shteti pronar i tyre, të merren, të shndërrohen në shoqëri aksionare, ku shteti do të jetë padëshirueshmërisht pronar. Them padëshirueshmërisht, pasi ne jemi për privatizimin”, tha Berisha. Ky vendim, sipas tij, pra shtetëzimi ndërmerret që të realizohet rikonstruksioni i këtyre godinave, të cilat janë lënë pas dore dhe nuk përdoren prej më shumë se 10 vitesh. “Pas rikonstruksionit të tyre të plotë dhe menjëherë shteti do të shesë aksionet e tij. Pra, që në momentin që ato do të rindërtohen, shteti është i gatshëm t’i shesë aksionet dhe të vazhdojnë të tjerët. Përndryshe po të mos jetë shteti i pranishëm, do të vazhdojë bixhozi me këto pasuri, ashtu si ka vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe. Mendoj se ky ligj vjen në kohën e duhur. E vërteta është se edhe eksponentë të rëndësishëm të sindikatave e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë një hap të tillë, sepse e kanë kuptuar se aty janë zhvilluar procese tërësisht të papranueshme”, deklaroi Berisha.
Historiku i “hotel”-sindikateve
Më pas 5 qershor të vitit 1992 presidenti i asaj kohe, Sali Berisha nxori dekretin me numër 204 për t’i dhënë në pronësi të Sindikatave të Pavarura të saj kohe të së gjitha pronave të ish-bashkimeve Profesionale. Këto ishin kampe punëtorëve në Durrës, Pogradec, Shëngjin, Vlorë, Sarandë, në të gjitha zonat turistike të vendit. Kryeministri Berisha duke e komentuar një vendim të tillë u shpreh se e ndërmori atë si pjesë e vlerësimit të kontributit historik të sindikatave në përmbysjen e diktaturës komuniste. Gjithashtu kreu i Ekzekutivit e lidhi këtë vendim edhe me mundësinë e dhënies së pavarësisë ekonomike të këtyre sindikatave. “Ky dekret, në mënyrën më të pakonceptueshme, nuk është votuar në parlament. Faktikisht, ky dekret nuk ka fuqi. Më vonë në vitin 1998, Gjykata Kushtetues ka bërë ndërhyrjen e vet të drejtë dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me mosvotimin e dekretit në parlament ato janë pasuri të askujt, në kohën kur ato ishin resortet më të mira turistike të vendit”, deklaroi Berisha.
Fillimisht, dekreti i presidentit u rrëzua me vendim të Gjykatës së Lartë dhe më pas u pasua nga një vendim i ngjashëm nga Gjykata Kushtetuese. Kjo bëri që këto prona të kthehen në shtetërore. Por ndarja e këtyre pronave asaj kohe shpeshherë është bërë mollë sherri ndërmjet drejtuesve të sindikatave në lidhje me pronësinë e tyre, çka ka sjellë edhe mos vazhdimin e këtyre e kampeve për pushuesit dhe lënien e këtyre godinave drejt degradimit. Jo të pakta janë rastet kur këto përplasje ndërmjet sindikatave kanë shkuar në përplasje ndërmjet tyre dhe në dyert e gjykatave.

“Toka e papunuar”, Berisha kërkon llogari
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri Berisha kërkoi me këmbëngulje hartimin e ligjit për tokat e braktisura. Duke e ritheksuar se është i nevojshëm adaptimi sa më shpejt i një qëndrimi të ri ndaj tokës së papunuar, Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Bujqësisë përfundimin e shpejtë të projektligjit, që vendos dhënien e tokës së papunuar me të dhjetë. “Toka që lihet pa punuar, tha Kryeministri, degradohet, çka është e palejueshme. Ndaj dhe ligji duhet t’i japë fund situatës së papranueshme me tokat e papunuara”. Në mbledhjen e kaluar, Berisha i la si detyrë ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana për të hartuar një projekt të tillë. Afati për paraqitjen e këtij drafti për miratim është fundi i muajit gusht. Në të gjithë vendin llogaritet se janë 50 mijë hektarë tokë bujqësore që lihet djerrë nga ana e bujqve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›