Kuvendi, kabineti kalon me votim të hapur
Dekretimi i emrave të kabinetit të ri i hap rrugë Kuvendit të votojë qeverinë dhe programin politik të saj. Rregullorja e Parlamentit në nenin 110 të saj tregon procedurën që do të ndiqet gjatë seancës parlamentare. Kështu, pasi Kuvendi të vihet në dijeni nga Presidenca për dekretet e firmosura, Konferenca e Kryetarëve e cila mblidhet para se të nisë seanca përcakton kohën e debatit që do të zhvillohet në Kuvend. Nisja e seancës do të përcaktohet në marrëveshje mes kryetares së Parlamentit dhe Kryeministri. Kreu i qeverisë do të paraqesë para deputetëve të pranishëm përbërjen e qeverisë së tij dhe programin politik. Burime pranë kryeministrisë bëjnë të ditur për gazetën se prej tre ditësh kreu i ekzekutivit i ka kushtuar të gjithë kohën e tij përgatitjes së programit. “Programi politik i Këshillit të Ministrave dhe përbërja e tij paraqiten në Kuvend nga Kryeministri. Pas paraqitjes së programit politik, çdo deputet dhe grup parlamentar ka të drejtë të paraqesë pyetje për Kryeministrin”, thuhet në pikat 2 dhe 3 të nenit 110 të rregullores. Pas përgjigjeve të pyetjeve, kryeparlamentarja Topalli pritet të deklarojë hapjen e debatit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Koha e debatit do të përcaktohet nga Konferenca e Kryetarëve. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë Kryeministri jo më shumë se 10 minuta. Votimi nga Kuvendi i përbërjes dhe i programit politik të Këshillit të Ministrave do të bëhet i hapur. Në rregullore përcaktohen edhe rastet kur maxhoranca nuk i ka votat e mjaftueshme për të miratuar programin dhe qeverinë. “Në rast se Kuvendi nuk miraton programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, Kryetari i Kuvendit vë në dijeni menjëherë Presidentin e Republikës”, thuhet në rregullore. Por një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë për shkak se koalicioni i djathtë ka të paktën 74 vota dhe opozita pritet të mos marrë pjesë as në seancën kur do të votohet qeveria.