E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria emëron Lesin, zv/ministër të Kulturës

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha përfshin në kabinetin qeveritar edhe aleatë të vegjël. Një nga emërimet e fundit është ai i Nikollë Lesit, i cili ka zënë postin e zëvendësministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Lesi është kryetar i Partisë Lidhja Demokristiane dhe në zgjedhjet e fundit ishte një nga partitë që u përfshi në koalicionin me PD-në. Kjo parti nuk arriti të marrë asnjë mandat deputeti në Kuvendin e ri.

Të tjera shkarkime dhe emërime janë bërë në postet e dyta të qeverisë. Kështu, pas skandalit të publikuar në media, Arben Ivanaj, zëvendësministër i Shëndetësisë u lirua nga kjo detyrë. Vendin e tij e ka zënë Bardh Spahia, i cili ishte edhe një nga kandidatët për qarkun e Shkodrës si përfaqësues i PD-së.

Klodian Pajuni lirohet nga detyra e prefektit të qarkut të Durrësit dhe në vend të tij emërohet Genci Alizoti. Alizoti ka qenë kryetar i Këshillit të Qarkut. Alizoti njihet si përfaqësues i PS-së në këtë këshill bashkiak, por më pas kaloi me LSI-në. Rauf Troka lirohet nga detyra e prefektit të qarkut të Fierit dhe në vend të tij emërohet Bujar Hasaj.

Hasaj është kreu i LSI-së për Fierin dhe njëherësh një nga kandidatët e partisë aleate të PD-së në Qeveri, LSI-së në zgjedhjet e 28 qershorit. Një nga emërimet e tjera është ai i Pal Dajçit, në postin e prefektit të Lezhës. Dajçi ka qenë deputet i PD-së në legjislaturën e kaluar.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›