E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti i Vlorës: ‘Jo’ kufijve pa ekspertizën tonë

VLORE- Departamenti i Shkencave Nautike në Universitetin e Vlorës, në bashkëpunim me ekspertët e të Drejtës Ndërkombëtare të këtij universiteti, ka nisur një ekspertizë në lidhje me marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufijve.

Nisma është bërë publike në faqen e internetit të Universitetit të Vlorës. Fakulteti i Shkencave Nautike, është e vetmja qendër universitare në vendin tonë e specializuar në fushën e detarisë.

“Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit lidhur me marrëveshjen detare Shqipëri-Greqi, ekspertët e Shkencave Nautike, në bashkëpunim me ekspertët e së Drejtës Ndërkombëtare të këtij universiteti, kanë vendosur të shprehen publikisht për këtë çështje. Aktualisht ata janë duke punuar mbi hartat navigacionale, ligjin ndërkombëtar të detit dhe legjislacionin shqiptar, për të përfunduar ekspertizën”, thuhet në faqen zyrtare në internet e UV-së.

Sipas zv/rektorit të Universitetit të Vlorës, Eustrat Zhupa, në këtë kërkim do të marrin pjesë 4 specialistë ose dhe më shumë në varësi të studimit, pasi kjo është një çështje, sipas tij shumë e ndërlikuar.

Në prononcimin e tij për “Gazeta Shqiptare” Zhupa thotë se “përgjigja e dalë prej ekspertizës, e cila nuk do të vonojë shumë, do të ketë të gjitha argumentet ligjore apo kufitare se ku duhet të jetë vërtet kufiri i Shqipërisë. Studimi ose siç është quajtur “ekspertiza”, ka nisur prej ditës së djeshme dhe pritet që brenda pak ditëve të përfundojë.

Këshilltari i kryeministrit Berisha, historiani Neritan Ceka si dhe presidenti i Nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo, kanë kërkuar një ekspertizë ndërkombëtare lidhur me marrëveshjen shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar. Sipas Cekës, “parlamenti është i detyruar të kërkojë një ekspertizë ndërkombëtare për këtë marrëveshje, për shkak se në thelb të saj qëndron e drejta ndërkombëtare.
Kjo nuk duhet konsideruar si një marrëveshje e thjeshtë midis dy shteteve, Shqipërisë dhe Greqisë, duke marrë në konsideratë faktin se prej saj preket edhe një shtet i tretë, sikundër është Italia.

Nga konkluzioni i një studimi prej 117 faqesh të ish-drejtorit të Institutit Gjeografik të Shqipërisë, kolonelit Myslym Pashaj, marrëveshja shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve cënon ujërat kombëtare në detin Jon me 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor.

Në datën 15 tetor Kuvendi vendosi të shtyjë pa afat ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta deklaroi se ky vendim u mor për t’i lënë më shumë kohë bërjes së transparencës së kësaj marrëveshjeje për mbarë opinionin publik shqiptar.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›