E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet gjyqi për vrasjen e taksistit

Elbasan Seanca e parë e gjyqit kundër të pandehurve për vrasjen në bashkëpunim të taksistit nga Devolli, Fredi Talelli, nuk është zhvilluar, duke e shtyrë gjyqin për një kohë tjetër. Shkak i shtyrjes së seancës së djeshme ka qenë mosprezenca e avokatëve mbrojtës të palës së akuzuar. Për vrasjen e Talellit janë arrestuar gjashtë persona mbi të cilët rëndon akuza e vjedhjes me armë me pasojë vdekjen e kryer në bashkëpunim si dhe armëmbajtje pa leje. Personat e akuzuar për vdekjen e taksistit nga Devolli janë: 16-vjeçari A. Xhacka dhe Elkero Revani 21 vjeç, nga Bilishti; 19-vjeçari Domeniko Kumrija nga Elbasani; si dhe tre shtetas të tjerë të arrestuar më pas si bashkëpunëtorë. Trupi i taksistit Fredi Talelli u gjet i pajetë në dalje të fshatit Koritë, të Korçës, në nëntor 2010, tetë ditë pas zhdukjes së tij. Ndërkohë, makina e tij u gjet e hedhur në rrjedhën e përroit të Kushës, në territorin e fshatit Katund i Ri në Elbasan. Ishte pikërisht makina që solli zbulimin e autorëve të krimit. Ngjarja e rëndë, që vuri në lëvizje policinë e Elbasanit dhe atë të Korçës, nisi të zbardhet pas arrestimit të Domeniko Kumries nga Elbasani. 19-vjeçari Kumria ka deklaruar në polici se autorë të ekzekutimit të taksistit Fredi Talelli ishin 16-vjecari A. XH dhe Elkiero Revani 21 vjeç, nga Bilishti. Pas krimit, dy të rinjtë kanë hedhur trupin e taksistit në kanalin në të dalë të fshatit Koritë, të Korçës dhe janë nisur drejt Elbasanit, te shoku i tyre Domeniko Kumria. Ky i fundit kishte një servis dhe dy të rinjtë kërkonin të shisnin automjetin tip Mercedez Benz me targa Dv 203 A. Duket se 19-vjeçari Kumria nuk ka pranuar ta blejë automjetin dhe të tre, pas ndërrimit të targave, e kanë hedhur në përroin e Kushes, Elbasan.

Sipas policisë, 36-vjeçari Fredi Talelli, babai i dy fëmijëve, ishte qëlluar me automatik dhe kishte marrë një plumb në gjoks. Tre autorët janë shoqëruar në policinë e Korçës, ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e motiveve të ngjarjes. Familjarët e taksistit nga fshati Pilur denoncuan zhdukjen e tij paraditen e 21 nëntorit. Sipas tyre, 36-vjeçari punonte si taksi në linjën Korçë-Greqi. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›