E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria flak mbi 600 punonjes

Nga 1 korriku, 478 punonjës së arsimit dhe 135 punonjës së Policisë Ndërtimore mbeten pa punë

Në korrik, qeveria do të shkurtojë nga puna 622 punonjës të administratës shtetërore në sektorin e arsimit dhe atë të Policisë Ndërtimore. Vendimi për shkurtimin e punonjësve të administratës është marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë, sipas të cilit në muajin në korrik do të shkurtohen nga puna 487 punonjës së arsimit dhe 135 punonjës të sektorit të punëve publike, transportit dhe telekomunikacionit. Me vendimin e djeshëm të qeverisë, numri i punonjësve në administratën shtetërore nga muaji korrik arrin 104.105. Sipas relacionit shpjegues që i bashkëlidhet vendimit të qeverisë, bëhet e ditur se shkurtimi për 135 punonjës në Ministrinë e Transportit ka ardhur si rezultat i shkrirjes së Policisë Ndërtimore dhe Krijimit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Në institucionin e Policisë Ndërtimore numri total i punonjësve ka qenë 275, ndërsa në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar numri i punonjësve është 140 të tillë. Në total, numri i punonjësve buxhetorë për Ministrinë e Transporteve për vitin 2008 nga shkurtimi i 135 punonjësve, bëhet 1362. Në vendimin e qeverisë është parashikuar edhe një pakësim prej 478 të numrit të punonjësve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Shkurtimi i 478 punonjësve në sektorin e arsimit do të fillojë në datën 1 korrik të vitit 2008. Ky shkurtim sipas relacionit që i bashkëlidhet vendimit, është rezultat i reflektimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për administrimin e konvikteve në sistemin arsimor parauniversitar. Në bazë të këtij vendimi, punonjësit e administrimit të konvikteve kalojnë nga varësia e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në varësi të Pushtetit Vendor. Vendimi i qeverisë në dietë për shkurtimin e këtyre punonjësve, vjen në njëjtën kohë kur qeveria do të fillojë zbatimin e politikave të saj për rritjen e pagave. Nga ana tjetër, sipas vendimit të qeverisë, administratës do t’i shtohen dhe 11 punonjës të rinj, të cilët do të punësohen në Njësinë e Mbikëqyrjes së Fatit, e ngritur para pak kohësh, institucion ky në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Energjetikës dhe Tregtisë. Këshilli i Ministrave vetëm pak kohë më parë ka miratuar një vendim për krijimin dhe mënyrën e funksionimit të njësisë së mbikëqyrjes së lojërave të fatit, duke krijuar një institucion të ri në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, me një numër total prej 11 punonjësish. Meqenëse ky numër punonjësish nuk ishte parashikuar në buxhetin për Ministrinë e Ekonomisë dhe të Energjetikës, nëpërmjet vendimit të djeshëm është miratuar edhe shtesa e këtyre punonjësve për këtë ministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›