E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, ndotja e ajrit shton numrin e të sëmurëve nga mushkëritë

Korça nuk është më një qytet me ajër të pastër. Kjo është deklarata e autoriteteve të Shëndetit Publik, që kanë vënë alarmin për një nivel tepër të lartë të ndotjes, që është dyfishuar ndjeshëm në vitet e fundit. Niveli i lartë i ndotjes në ajër i shkaktuar nga pluhuri, sipas specialistëve ka bërë të rritet sëmundshmëria, ndërsa qyteti është kategorizuar dhe përfshirë në zonën e alarmit. Pluhuri në nivele dy herë më të larta se normalja dhe grimcat e vogla që depërtojnë në mushkëri kanë shtuar rastet e sëmundjeve të aparatit respirator. Më shumë të sëmurë të rinj me astmë dhe probleme të tjera pulmonare i janë shtuar listës së pacientëve brenda një viti, ndërsa sipas të dhënave nga spitali në muaj kurohen të paktën 70 persona. Mjekët thonë se ka raste më të shumta të kancerit në mushkëri që kanë qenë në rritje dy vitet e fundit, por edhe të sëmundjeve të tjera që trajtohen në sanatorium. Specialistët deklarojnë se qyteti është në zonën e alarmit me pluhur nën 10 mikronë dhe me norma më të larta të ndotjes së ajrit se ato evropiane. Kjo do të thotë se banorët janë më të ekspozuar dhe të rrezikuar ndaj sëmundjeve në rrugët e frymëmarrjes dhe nga kanceri. Inspektorati i Higjienës pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, që ka kryer edhe matjet mbi nivelin e ndotjes në ajër nga pluhuri, e ka futur qytetin në tabelën e zonës së alarmit. Inspektori i Higjienës, Jani Bukuroshi, thotë se nuk mund të flitet më për një qytet me ajër të pastër, pasi nga statistikat dhe matjet ka një përqendrim të lartë në pluhurit në ajër. "Normat evropiane që janë në 40 mikrogramë për metër kub të përqendrimit të pluhurit jo vetëm që janë tejkaluar, por janë dyfishuar. Kështu nga matjet dhe përllogaritjet, Korça rezulton ndër qytetet me ndotje të lartë të ajrit nga pluhuri me më shumë se 90 mikrogramë për metër kub. Kjo tregon se qyteti futet në nivelet e larta të ndotjes, pasi mbi 75 mikronë konsiderohet një ndotje në përmasa të mëdha", thotë inspektori Bukuroshi. Rritja e shkallës së ndotjes lidhet me faktin se pas punimeve që kryhen në rrugë nuk merren masa për pastrimin e mbetjeve dhe si rrjedhojë akset rrugore kryesisht ato dytësore mbeten me pluhur dhe dhera. Nga lëvizja e mjeteve pluhuri që ngrihet është i madh dhe me pasoja të rënda për shëndetin e njerëzve, duke çuar deri në raste të kancerit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›