E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria franceze e interesuar të investojë në trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë

Ambasadorja Franceze në Prishtinë, Maryse Daviet, takoi Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, duke shprehur gatishmërinë e Ministrisë Franceze të Ekonomisë dhe Financave për mbështetjen e projekteve mjedisore në Kosovë.

Sipas ambasadores Daviet, Qeveria Franceze është e interesuar që të financojë në tërësi një projekt për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Prishtinës, ku do të përfshihet studimi i fizibilitetit i gjendjes së ujërave të zeza e gjithashtu edhe planet e ndërtimit të impianteve dhe operimit të tyre. Sipas saj, me këtë projekt do të forcohet partneriteti ndërmjet Qeverisë Franceze dhe asaj të Kosovës.

Duke përmendur angazhimin e Qeverisë Franceze në nivel botëror për promovimin e teknologjive të gjelbërta, Ministri Gashi u shpreh i gatshëm të ndihmojë në planet e Qeverisë Franceze me njohuritë teknike nga Ministria e Mjedisit për implementimin e këti projekti në Prishtinë.

Ministri Gashi dhe Ambasadorja Daviet u morën vesh që gjatë javës së ardhshme të fillojnë procedurat e aplikimit për grante në Ministrinë Franceze të Ekonomisë dhe Financave, thuhet në njoftim./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›