Të mos pranohet Asociacioni i komunave serbe para zgjedhjeve

Qeveria e Kosovës nuk duhet që në asnjë mënyrë të pranoj krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, para mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe formimit të institucioneve legjitime në komunat e veriut të Kosovës. Kështu tha për Radio Kosovën, njëri nga hartuesit e kushtetutës, profesor Arsim Bajrami. Sipas tij zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit nuk kërkon ndryshime kushtetuese.
Profesori Arsim Bajrami është kategorik që zbatimi i marrëveshjes duhet të bëhet vetëm sipas hapave logjik, duke filluar me zhbërjen e strukturave paralele të sigurisë, plotësimin e vendeve vakante në sistemin e drejtësisë dhe më pas mbajtjen e zgjedhjeve lokale nga të cilat do të dalin institucionet legjitime në komunat e veriut të Kosovës. Kërkesën e palës serbe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, profesor Bajrami, që është deputet në Kuvendin e Kosovës, e konsideron të papranueshme sepse sipas tij ai nuk mund të bëhet me kryetarët e paligjshëm të këtyre komunave.
“Një veprim të tillë Qeveria e Kosovës duhet ta refuzojë kategorikisht. Tek pasi të mbahen atje zgjedhjet, të formohen institucionet legale, do të mund të themelohet asociacioni i komunave i cili nuk nënkupton asnjë formë të autonomisë territoriale, pro është një formë e koordinimit dhe bashkëpunimit ndër-komunal”, tha ai.
Bajrami, që është njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, thotë zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit nuk implikon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës.
“Nuk kemi cenim të sistemit unik kushtetuese, gjithashtu mendoj se edhe tek legjislacioni nuk do të kërkohen rishikime serioze, sepse, në fakt, disa koncesione që janë dhënë janë me origjinë nga pakoja e Ahtisarit”, theksoi ai.
E përditshmja beogradase “Veçernje novosti”, ka shkruar se Serbia po insiston që në vend të institucioneve të tashme serbe në Kosovë menjëherë të formohet Bashkësia e komunave serbe, si zgjidhej kalimtare deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vjeshtë të këtij viti.
Sipas gazetës, kryeministri Hashim Thaçi insiston që të shuhen të gjitha institucionet paralele serbe, ndërsa deri në zgjedhjet lokale, Prishtina ta marrë “çatinë” institucionale edhe në veriun e Kosovës./Indeksonline/