Ambasada e SHBA: Për gazetën “TemA” ka një vendim gjyqi, të ndiqet një proces i rregullt ligjor
Ambasada amerikane ka reaguar sërish dje në lidhje me vendimin e qeverisë për të nxjerrë jashtë ambienteve të saj me forcë gazetën “TemA”. Një zëdhënës i ambasadës amerikane, i pyetur në lidhje me aktin e policisë përkundrejt gazetës “TemA”, u shpreh se në lidhje me këtë çështje ka një vendim gjyqësor, dhe se ambasada e këtij vendi nxit ndjekjen e një procesi ligjor për këtë çështje “Me sa dimë, ka një vendim gjyqësor në lidhje me këtë çështje. Nxisim ndjekjen e një procesi të rregullt ligjor”, - u shpreh zëdhënësi i ambasadës. Ambasada e SHBA në Tiranë më shumë se një herë i ka bërë thirrje qeverisë që të ndalë represionin ndaj medieve në përgjithësi dhe ndaj gazetës “TemA” në veçanti. Madje për të vërtetuar shqetësimin e saj në lidhje me këtë çështje jo shumë kohë më parë dërgoi në ambientet e redaksisë dhe këshilltarin për Mediat pranë kësaj ambasade, Biks Aliun. Gjithsesi, pavarësisht thirrjeve të kësaj ambasade, por edhe të opinionit publik, sërish qeveria dhe kryeministri i saj është e vendosur t’i shkojë deri në fund hakmarrjes së saj ndaj një gazete, e cila është kritike ndaj qeverisë.