Ministri Hoxhaj nuk merr pjesë në takimin e Ohrit

(E plotësuar) Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës njofton se pas anulimit zyrtar të Samitit të 16-të të SEECP me vendim të Presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, Serbia ka tërhequr kundërshtimin për pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme, si pjesë e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).
“Pas këtij zhvillimi, Republika e Kosovës ka ulur nivelin e përfaqësimit ku ministri Hoxhaj nuk do të marrë pjesë, dhe në këtë takim të ministrave do të përfaqësohet nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, z. Petrit Selimi”, thuhet në një njoftim për media të MPJ-së.
Tutje ne njoftim thuhet se, që nga fillimi, Ministri Enver Hoxhaj ka insistuar që Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë me shtetet tjera në këtë samit, dhe çdo tendencë për të ulur apo bllokuar këtë format të përfaqësimit është kundër frymës së bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, kundër marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të iniciuar më 19 prill 2013, dhe marrëveshjes paraprake për përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal, në kuadër të dialogut teknik të datës 23 shkurt 2012.
“Republika e Kosovës i jep rëndësi të veçantë bashkëpunimit rajonal, gjithmonë në rrethana ku sigurohet përfaqësimi dhe trajtimi i barabartë, promovohet gjithëpërfshirja dhe mbizotëron fryma e bashkëpunimit dhe solidaritetit”.
Sipas MPJ-së për Kosovës, bashkëpunimi rajonal është më shumë se një instrument, për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Prandaj, për Republikën e Kosovës, bashkëpunimi rajonal paraqet një mundësi dhe proces të pandalshëm për të tejkaluar të kaluarën, nxitur pajtimin dhe krijuar një klimë të favorshme për t’i zgjedhur çështjet bilaterale dhe rajonale me një frymë evropiane të dialogut dhe mirëkuptimit. /Indeksonline/
...................
Vendet e rajonit e kanë shpëtuar takimin në nivel të Ministrave në Ohër, pas dështimit të Samitit në nivel Presidentësh që ishte planifikuar të mbahej më 1 qershor.
Siç është njoftuar, në takimin ministror që do të mbahet të premten,do të marrë pjesë edhe Komisioneri për Zgjerim Stefan Fule ,ndërkohë që takimi do të mbahet në formatin Gymnich (pa simbole shtetërore), pasi Serbia nuk pranon që Kosova të prezantohet si shtet.
Sipas një njoftimi nga MPJ e Kosovës , Serbia është pajtuar që Ministri i Jashtëm i Kosovës të marrë pjesë në takim në këtë format.
Ministria e Jashtme e Kosovës ka dërguar letrën e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë e cila është kryesuese e SEECP'së ku thuhe se Serbia është tërhequr nga refuzimi i saj për pjesëmarrjen e përfaqësuesit të Kosovës.
Por ajo që ka nuk ka ndryshuar mendje është Sarajeva zyrtare.
"Republika e Serbisë është tërhequr nga pozita e saj dje më 29 maj në orët e pasditës ; dhe Bosnja e Hercegovina nuk e ka ndryshuar pozitën e saj deri më tani" thuhet në njoftimin e MPJ të Maqedonisë të cilën ua ka shpërndarë mediave MPJ e Kosovës, transmeton Express.
Kosova nuk është anëtare e SEECP por Ministri Hoxhaj është ftuar në takim si mysafir special. /Indeksonline/