E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria gjermane jep 56.500 euro për repartin RENEA

Reparti Special i RENEA-s pritet të pajiset me mjete të reja për përmirësimin dhe aftësimin e teknikave gjatë ndërhyrjeve dhe zgjidhjes së situatave të ndryshme me shkallë vështirësie të lartë, falë një ndihme prej 56.500 euro nga qeveria gjermane, në kuadër të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore. Kontrata e donacionit për repartin RENEA u nënshkrua sot në mjediset e drejtorisë së Përgjithshme të Shtetit, në Tiranë, nga drejtori Ahmet Prençi dhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Z. Bernd Borchart. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Prençi, vlerësoi ndihmën e vazhdueshme të qeverisë gjermane për Policinë Shqiptare, në mënyrë direkte apo dhe nëpërmjet misionit policor PAMECA II, i cili dha kontributin kryesor në hartimin e ligjit të Policisë së Shtetit, aktualisht në zbatim të plotë.
Prençi vuri në dukje se frut i këtij bashkëpunimi kanë qënë dhe një numër operacionesh të sukseshme të përbashkëta të zhvilluara ndërmjet policisë shqiptare dhe Policisë Federale Gjermane. Për ambasadorin Borchart qeveria gjermane dhe qeveria shqiptare kanë një traditë të gjatë bashkëpunimi. "Në kohën e sotme të globalizmit mbështetja që Qeveria Gjermane ofron për Policinë e Shtetit është me interes reciprok, pasi ne konsiderojmë se siguria e Shqipërisë është njëkohësisht dhe siguri e Gjermanisë", evidentoi Z. Borchart. Ai theksoi ndër të tjera se Gjermania është një ndër mbështetëset e Shqipërisë në rrugën e saj për integrimin e plotë në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›