E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria greke kontrollon të ardhurat e punonjësve të administratës

Ministri i Financave heq nga puna 20 funksionarë të lartë, 70 të tjerë në hetim

Qeveria greke ka ndërmarrë një operacion spastrimi në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal. Ministri i Financave ka urdhëruar fillimin e një kontrolli mbi pasuritë e të gjithë vartësve të tij dhe ka hequr nga puna 20 funksionarë të lartë dhe ka

hapur hetim për 70 nëpunës, të cilët janë pronarë të pronave të cilat nuk përputhen me mundësitë e tyre ekonomike. Evazioni fiskal i kushton grekëve 15 miliardë euro në vit. Qeveria greke ka shpallur ndryshime në administratën tatimore, për shkak të mos mbledhjes së shumave të dëshirueshme nga tatimet. Në të njëjtën kohë, po kontrollohen rreptësisht të ardhurat e punonjësve, pasi për një numër të konsiderueshëm kanë rezultuar pasuri që nuk justifikohen nga pagat e marra nëpër vite. Një numër i konsiderueshëm punonjësish të sektorit të tatimeve kanë pasuri që nuk justifikohen nga paga e tyre. Ata disponojnë pasuri të patundshme që vlerësohen objektivisht nga 800 mijë në 3 milionë euro secila. Më tej, mbi 200 punonjës të këtij sektori nuk kanë bërë deklarimin e të ardhurave dhe pasurisë në periudhën 2007-2008. Këto janë vetëm dy nga konstatimet e një kontrolli të shpejtë që ka bërë Ministria e Financave ditët e fundit dhe që dëshmojnë se edhe në atë administratë që normalisht konsiderohet e pakorruptueshme, situata nuk është ajo që duhej të ishte. Dhe kjo në një vend ku evazioni fiskal vlerësohet zyrtarisht se përfaqëson 40 % të të ardhurave të përgjithshme bruto. Këto fakte e kanë shtyrë Ministrinë e Financave të ndërmarrë një fushatë spastruese në sektorin e tatimeve. Dhe pikë së pari të fillojë një kontroll të rreptë për pasuritë e gjithë punonjësve të këtij sektori, por edhe të kryejë transferime të shumta, ndërkohë që ka shkarkuar edhe 20 drejtorë zyrash tatimore në gjithë Greqinë. Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Financave, këto ndryshime diktohen nga nevoja e përmirësimit të mëtejshëm në vjeljen e tatimeve, por edhe për të rehabilituar transparencën në shërbimet shtetërore ekonomiko-financiare.  Ndërkohë ministria e Financave ka bërë të ditur se po kalon në sitë të dhënat financiare këngëtarësh e sportistësh të shquar, të cilët dyshohet se i janë shmangur sistematikisht pagimit të taksave, ose të paktën nuk kanë paguar aq sa duhej. Kjo deklarohet vetëm një javë pasi zëvendësministrja e turizmit u detyrua të jepte dorëheqjen, pas publikimit të fakteve se bashkëshorti i saj, një nga këngëtarët më popullorë në Greqi, kishte pa shlyer detyrime tatimore me vlerë 5 milionë euro. Këtu vlerësohet, dhe jo pa të drejtë, se rasti i këngëtarit përbën vetëm majën e ajsbergut. Nëse publikohet lista e këngëtarëve dhe sportistëve që nuk kanë paguar taksa, ky veprim i shtohet publikimit para dy javësh të një liste të gjatë me mjekë që ndërsa kishin klinika të shtrenjta në lagjet më të mira të Athinë, deklaronin të ardhura vjetore deri edhe në 800 euro.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›