Ngadalësohet me 4. 8 për qind kreditimi për qytetarët dhe bizneset e vogla
Sipas guvernatorit mësohet se deficiti buxhetor gjatë prillit ishte 5. 3 miliardë lekë, duke u ngushtuar me 47 për qind, vlerë kjo e matur në terma vjetor. Nga ana tjetër të ardhurat në buxhetin e shtetit janë ulur me 3 për qind gjatë prillit krahasuar me marsin. Ndërsa në lidhje me blerjen e hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë guvernatori është shprehur se të gjitha procedurat ishin transparente dhe ligjore.
Norma e interesit
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi raportin mujor të Politikës Monetare vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 5.25 për qind. Sipas Bankës së Shqipërisë muajt e parë të vitit 2010 janë karakterizuar nga përmirësimi i aktivitetit ekonomik në nivel botëror, i ilustruar nga rritja e shpejtë e ekonomive të vendeve në zhvillim dhe nga rritja e moderuar e ekonomive në një pjesë të vendeve të zhvilluara. Rigjallërimi ekonomik është shoqëruar me rritjen e aktivitetit tregtar, ndërkohë që bankat qendrore dhe autoritetet fiskale kanë vijuar të mbështesin kërkesën agregate nëpërmjet politikave lehtësuese.
Rritja çmimeve
Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se pavarësisht prirjes rritëse të çmimeve të mallrave bazë, presionet inflacioniste vazhdojnë të jenë ende të ulëta, si rrjedhojë e hendekut negativ të prodhimit. Megjithatë, ngjarjet e javëve të fundit kanë treguar se ekonomia e Eurozonës dhe ajo botërore karakterizohen ende nga pasiguri të larta për të ardhmen. Sipas të njëjtave burime situata fiskale është kthyer në fokusin e diskutimeve ekonomike dhe politike. Marrja e masave të menjëhershme dhe konkrete, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë afatgjatë të borxhit publik duket se do të kushtëzojë ndjeshëm zhvillimet e ardhshme. Duke iu rikthyer ekonomisë vendase, treguesit më të fundit sasiorë e cilësorë tregojnë për një ecuri të ngadaltë të ekonomisë në muajt e parë të vitit 2010. Ngadalësimi i kërkesës së brendshme është kompensuar nga një ecuri pozitive dhe në rritje për eksportet shqiptare.
BSH: Deficiti buxhetor, 5.3 miliardë lekë
Buxheti i shtetit rezulton të jetë 5. 3 miliardë lekë. Stimuli fiskal ka pasur ritme më të përmbajtura në katër mujorin e parë të vitit, duke dhënë një kontribut më të ulët në aktivitetin ekonomik gjatë kësaj periudhe. Politika fiskale ka vijuar të ruajë një karakter stimulues, por në një masë më të vogël se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas Bankës Qendrore deficiti buxhetor është 5.3 miliardë lekë, duke u ngushtuar në masën 47 për qind në terma vjetorë. Aktiviteti i ulët ekonomik është pasqyruar në rritjen e ulët prej rreth 3 për qind të të ardhurave buxhetore gjatë katër muajve të parë të vitit. Nga ana tjetër, shpenzimet buxhetore regjistruan një reduktim me rreth 2 për qind nga niveli i shënuar një vit më parë. Banka e Shqipërisë vijon të tërheqë vëmendjen se, megjithë ndikimin pozitiv afatshkurtër që mund të gjenerojë stimuli fiskal, qëndrueshmëria afatgjatë e sektorit publik duhet të mbetet udhërrëfyesi kryesor i politikës fiskale. Mësimi i nxjerrë nga situata aktuale problematike që ka përfshirë shumë shtete të Bashkimit Evropian, është domosdoshmëria për konsolidimin e financave publike dhe për këtë qëllim marrja e masave të rëndësishme korrektuese në një kohe sa më të shpejtë, është një objektiv me rëndësi strategjike.
Fullani: Inflacioni është ulur me 0.4 për qind
Inflacioni vjetor në muajin prill rezultoi 3.5 për qind, duke shënuar një ulje prej 0.4 pikësh përqindje krahasuar me muajin mars. Rikthimi i inflacionit brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë ishte një zhvillim i pritshëm, i parashikuar kohë më parë. Sipas raportit të bankës gjatë muajve të fundit, inflacioni i çmimeve të konsumit në Shqipëri është shkaktuar më së shumti nga rritja e çmimeve të administruara, nga tendenca rritëse e çmimeve në konjukturën botërore dhe nga efektet prapavepruese të nënçmimit të kursit të këmbimit në inflacion. Në mungesë të efekteve të raundit të dytë në inflacion, efekti i këtyre faktorëve ashtu siç ishte parashikuar rezulton të jetë kalimtar. Presionet e brendshme inflacioniste mbeten të ulëta, ashtu si ilustrohet nga ecuria e inflacionit bazë dhe e atij të çmimeve të mallrave të patregtueshme. Vlerat e këtyre komponentëve të rëndësishëm të inflacionit qëndrojnë përkatësisht në 1.2 dhe 2.4 për qind në muajin prill. Kjo tendencë pritet të vijojë edhe në të ardhmen e afërt, për sa kohë që ekonomia shqiptare do të vijojë të karakterizohet nga nivele të ulëta të shfrytëzimit të kapaciteteve, nga një ekspansion i kontrolluar i treguesve monetarë dhe nga pritje të ankoruara inflacioniste.