E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria heq 100 milionë lekë nga arti, ia jep “Nënë Terezës”

Rishpërndarja e fondeve për vitin 2010 shkon për ngritjen e parkut kombëtar shqiptar “Nënë Tereza”, në Kleveland, Ohio, SHBA dhe për mbështetjen e kulteve

Në rishpërndarjen e fundit për fondin e vitit 2010, qeveria i heq 100 milionë lekë të vjetra artit dhe kulturës, të cilat shkojnë si kontribut për ngritjen e parkut kombëtar shqiptar “Nënë Tereza”, në Kleveland, Ohio, SHBA. Vendimi është marrë të premten, ndërkohë që është ngarkuar Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi. Në fakt, fondi për ndërtimin e këtij parku i kaloi si shtesë Ministrisë së Kulturës me një vendim të datës 3 shtator 2010, vendim ky që është shfuqizuar në mbledhjen e së premtes, ndërkohë që shumën që duhet për ndërtimin e parkut qeveria e gjen po sërish brenda MTKRS-së, duke ulur shpenzimet në programin e artit dhe kulturës. Shprehimisht në vendim thuhet se: Në programin e “Artit dhe kulturës” të pakësohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë lekësh), për shpenzime korrente, dhënë si shtesë nga fondi rezervë i buxhetit, si kontribut për ndërtimin e parkut kombëtar shqiptar “Nënë Tereza”, në Kleveland, Ohio, SHBA”. Në fakt, nga vendimi duket që fondi prej 100 milionësh i është hequr një sektori e i ka kaluar një tjetri. Në pikën b të vendimit, thuhet se: Në programin “Mbështetje për kultet” të shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për shpenzime korrente, për mbështetjen e bashkësive fetare. Rishpërndarja e buxhetit për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka synuar të shmangë djegien e fondeve të palëvruara për ndërtimin e parkut “Nënë Tereza”. Fondi i dhënë shtesë për ndërtimin e këtij parku kalon për mbështetjen e kulteve, ndërkohë që e njëjta shifër i hiqet “Artit dhe kulturës” për parkun. Projektin për ngritjen e parkut kombëtar shqiptar “Nënë Tereza”, në Kleveland, Ohio të Shteteve të Bashkuara e garantoi në gusht të këtij viti vetë Kryeministri Sali Berisha, në një pritje që i bëri kryetarit të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Kleveland, zotin Adem Meta. Zoti Meta i prezantoi Kryeministrit projektin për çeljen e parkut kombëtar shqiptar, i cili do të mbajë emrin e humanistes shqiptare Nënë Tereza. Nga ajo që u tha atë kohë, parku do të jetë në formën e një amfiteatri, i cili në qendër do të ketë shtatoren e Nënë Terezës. Duke dashur të shpjegojë rëndësinë e këtij projekti, zoti Meta tha atëherë se në Ohio jetojnë 120 komunitete të ndryshme nga mbarë bota dhe vetëm 35 prej tyre kanë fituar të drejtën për të pasur parkun e tyre kombëtar, midis të cilëve edhe ai shqiptar. Në këtë prezantim të parë ai tha se në të njëjtin park do të vendosen edhe figura të tjera të shquara kulturore të kombit tonë. Kryeministri Berisha e përgëzoi në atë takim zotin Meta dhe shoqatën që ai përfaqëson për iniciativën, duke i garantuar mbështetjen e qeverisë në realizimin e projektit. Kryeministri e lidhi këtë iniciativë me 100-vjetorin e Nënë Terezës, duke gjetur edhe një arsye më shumë për mbështetjen e projektit. Një muaj më vonë në fakt Ministrisë së Kulturës i akordohet fondi shtesë prej 100 milionë lekësh të vjetra, që në fakt duket se deri në gjysmë të dhjetorit nuk u vunë në përdorim. Ende mbetet për t’u parë nëse ky projekt do të shkojë deri në fund. Në 100-vjetorin e humanistes shqiptare, veç një kalendari aktivitetesh i shpallur nga MTKRS (edhe ky jo i realizuar tërësisht), iniciativa të tjera të shpallura nga vetë Kryeministri në këtë 100-vjetor nuk u realizuan. Kujtojmë idenë e realizimit nga Banka e Shqipërisë të monedhave të floririt me imazhin e Nënë Terezës apo kushtuar misionit të saj, një ide që u tha dhe mbeti e shkruar në media pa shkuar më tej.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›