E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria aplikon për statusin e kandidatit, hapat që do ndiqen për anëtarësimin në BE

 

ADI SHKEMBI

Shqipëria dorëzon në Pragë kërkesën zyrtare të aplikimit në BE për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ceremonia u zhvillua në sheshin përpara godinës së qeverisë, pak pas takimit tet a tet mes dy kryeministrave të Shqipërisë dhe Çekisë, si dhe takimit mes delegacioneve, ku i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i KE-së, Michael Leigh. Në fillim, ishte kreu i qeverisë shqiptare i cili lexoi para mediave tekstin e kërkesës, e cila mbante pikërisht firmën e tij dhe të Presidentit Topi dhe më pas ia kaloi atë homologut të tij, Mirek Topolanek, i cili është edhe President i Këshillit të Komisionit Evropian. Nga ana e tij kreu i qeverisë çeke në fjalën e tij u shpreh se ky hap i Tiranës zyrtare nuk vjen vetëm pse presidenca çeke e BE-së e ndërmori iniciativën dhe pse integrimi i Ballkanit Perëndimor ishte përparësi e Pragës gjatë këtyre gjashtë muajve. "Në rast se çdo vend do të plotësojë këto kritere, atëherë ai mund të jetë pjesëmarrës i këtij procesi dhe Shqipëria ka kaluar përmes ndryshimeve të jashtëzakonshme, të mahnitshme dhe unë jam shumë i lumtur që shumica e këtyre ndryshimeve janë bërë nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha", u shpreh kreu i qeverisë çeke. "Kështu, që pas dorëzimit të aplikimit në duart e mia, ky aplikim do të kalojë në duart e zotit Havier Solana dhe kështu, do të fillojë procesi avis, procesi i shqyrtimit dhe kjo procedurë mund të miratohet gjatë presidencës së ardhshme suedeze të BE-së. Por përpara Shqipërisë ka ende një punë të madhe për t'u bërë", vijoi më tej Topolanek. Kreu i ekzekutivit çek premtoi mbështetje për Shqipërinë edhe pas lënies së presidencës në fund të muajit qershor. Nga ana e tij kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, vlerësoi dorëzimin e kërkesës së aplikimit për marrjen e statusit të vendit kandidat si një akt me domethënie historike. "Ky akt shënon dhe mbart një domethënie historike, pasi shënon rikthimin e vendit tim në familjen e kombeve evropiane, nga të cilët ai u nda fizikisht, por jo shpirtërisht, për një periudhë kaq të gjatë kohe. Për shqiptarët, historia ka qenë njerka e tyre e vështirë, e ashpër", theksoi kreu i qeverisë. Kryeministri Berisha tha se në këto 17 vjet, Shqipëria ka treguar se përfaqëson një demokraci funksionale dhe kriteret e Kopenhagenit konsolidohen vazhdimisht. Në konferencën për shtyp Berisha garantoi gjithashtu kryeministrin çek dhe përfaqësuesin e Komisionit Evropian, Michael Leigh se Shqipëria e konsideron këtë moment si detyrim të madh dhe integrimin në BE si të bazuar në arritje. "Dëshiroj t'ju garantoj zoti Kryeministër, të siguroj zotin Leight, Drejtor i Zgjerimit në Komisionin Evropian, vendet anëtare të BE-së se Shqipëria e merr këtë moment si një obligim të madh dhe e konsideron këtë si një proces, i cili duhet dhe do të jetë totalisht i bazuar në arritje. Ai është një motivim i madh i qeverisë dhe kombit tim për të punuar për këtë projekt historik", theksoi Berisha.

Hapat që ndiqen

Procesi i integrimit evropian është i ndarë në 7 faza, ndërkohë që Shqipëria, deri më sot, ka kaluar vetëm 3 prej tyre.
Faza e katërt përfshin atë kapitull që quhet "Opinioni" dhe i referohet vlerësimit që i bëhet aplikimit të një vendi për t'u anëtarësuar në BE nga ana e Komisionit Evropian, mbi bazën e përgjigjeve të pyetësorit të përgatitur nga komisioni.
Kjo fazë nis nga momenti i aplikimit të një vendi dhe zgjat nga 1 deri në 3 vjet. Faza e pestë përfshin fillimin e "Negociatave të Anëtarësimit" në BE, që përfshin një hark kohor, minimalisht një vit, dhe maksimalisht 7 vjet.
Faza e gjashtë është nënshkrimi i "Traktatit të Anëtarësimit", periudhë kjo nga 2 muaj deri në 5 vjet. Ndërsa faza e shtatë është "Data e Anëtarësimit", që përfshin harkun kohor nga 1 deri në 2 vjet.

Berisha: Me Karamanlis fola edhe për pronat çame
Kryeministri Berisha sqaroi dje se gjatë takimit të një dite më parë me kreun e qeverisë greke, Kosta Karamanlis, pjesë e bisedimeve ka qenë edhe çështja e pronave çame në Greqi. Sipas tij, kjo çështje duhet të zgjidhet në përputhje me traktatin e miqësisë së vitit 1996. "Kryeministri Berisha në këtë takim dhe në çdo takim me zyrtarët më të lartë të Greqisë, ka diskutuar këtë çështje në përputhje të plotë me përcaktimet e traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Greqisë dhe Shqipërisë", thuhet në deklaratën e zyrës së shtypit dhe Informacionit të Këshillit të Ministrave. Por pavarësisht kësaj deklarate, në konferencën e përbashkët për shtyp të ditës së hënë, as kryeministri Berisha dhe as kryeministri Karamanlis nuk folën për këtë çështje.  Madje Berisha deklaroi se Shqipëria dhe Greqia nuk kanë asnjë problem të pazgjidhur mes tyre. Sipas tij, të gjitha çështjet mes dy vendeve janë zgjidhur me dialog dhe bashkëpunim. "Marrëdhëniet tona politike janë me të vërtetë të shkëlqyera dhe shumë të shëndetshme. Ne nënshkruam një marrëveshje dhe një tjetër është gati. Konstatuam se nuk ka probleme midis vendeve tona dhe ato janë zgjidhur nëpërmjet shpirtit të dialogut dhe bashkëpunimit", u shpreh kreu i qeverisë shqiptare. Sipas shtypit grek, por që u vërtetua pas asaj që ndodhi, të dy kryeministrat kishin bërë pakt për të mos përmendur publikisht çështjet e ndjeshme mes dy vendeve. E veçanta e kësaj vizite ishte pikërisht fakti, që nuk u lejuan as pyetje nga gazetarët për të shmangur çështjet delikate të pronave të shqiptarëve, si dhe dënimin e Bollanos nga Gjykata e Vlorës.

Deklarata pas aplikimit
Rehn: Zgjedhjet, test kritik për stabilitetin

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oli Rehn theksoi dje se zgjedhjet e 28 qershorit janë test kritik për stabilitetin politik në vend. Deklarata e zyrtarit të lartë të BE-së erdhi vetëm pak orë pasi Shqipëria paraqiti para presidencës çeke kërkesën për të aplikuar për marrjen e statusit të vendit kandidat. "Shqipëria ka të drejtë të aplikojë për anëtarësim, në bazë të perspektivës evropiane që kanë përcaktuar vendet anëtare. Por, në të njëjtën kohë, zgjedhjet e ardhshme të qershorit do të jenë lakmus, test kritik për stabilitetin politik dhe aftësinë e vendit për të përmbushur kriteret kryesore politike të Kopenhagenit", ka pohuar Rehn. Të njëjtin mesazh ka dhënë edhe Ministri i Jashtëm çek, Karel Schvaercenberg, i cili gjithsesi është shprehur optimist se Shqipëria do t'i përmbushë kriteret e kërkuara për t'iu bashkuar familjes evropiane. "Në momentin e duhur, Shqipëria do të marrë përgjigje sesi do të procedojmë me kërkesën e saj. Por, unë kam përshtypjen se Shqipëria është munduar të bëjë më të mirën për të arritur statusin që do t'i mundësojë në të ardhmen anëtarësimin në BE", ka deklaruar Schvaercenberg.

Presidenti çek, vizitë në Tiranë
Presidenti i Çekisë, Vaslav Klaus, do të vizitojë Shqipërinë brenda gjysmës së dytë të këtij viti. Kjo u bë e ditur dje gjatë takimit që kreu i shtetit çek pati me kryeministrin Berisha. "Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin çek Klaus për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi dhe tha se do ta vizitonte vendin tonë në gjysmën e dytë të këtij viti", thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Gjatë këtij takimi, Presidenti Klaus vlerësoi dorëzimin nga ana e Kryeministrit Berisha të kërkesës së Shqipërisë për aplikimin si vend kandidat për në BE.

“Aplikimi, vendim sovran por jo në momentin e duhur”

Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, gjatë një interviste për radion "Dojçe Velle", shprehet se nuk është momenti më i mirë për Shqipërinë të aplikojë për marrjen e statusit të vendit kandidat për t'u anëtarësuar në BE. Zoti ambasador, Shqipëria aplikon sot në Pragë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Si pritet të jetë reagimi i Gjermanisë? Cilat janë argumentet pro aplikimit të sotëm dhe cilat janë rezervat ndaj tij?
Të bëjë tani aplikimin për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE është natyrisht një vendim sovran i Shqipërisë dhe Gjermania do ta respektojë atë. Qeveria Federale ka mbështetur dhe inkurajuar vendimet e Këshillit të BE-së në Samitin e Selanikut, në vitin 2003, që kanë qenë shpesh të konfirmuara nga institucionet e ndryshme të BE-së. Nga ana tjetër, Gjermania, ashtu si vende të tjera anëtare të BE-së, e ka bërë të qartë që nuk është tani momenti më i mirë për të bërë aplikimin. Aktualisht Gjermania dëshiron të shmangë një debat mbi zgjerimin me anëtarësime të reja në BE. Një debat të tillë do të dëshironim ta bënim vetëm kur BE-ja të ketë zgjidhur çështjet e tij të brendshme, që do të thotë pasi të jetë ratifikuar dhe hyrë në fuqi Traktati i Lisbonës. Hapi i ardhshëm pas aplikimit të sotëm do të jetë përcjellja e kërkesës për statusin pranë Komisionit Evropian dhe kërkesa e Komisionit ndaj vendeve anëtare të BE-së për t'u pozicionuar në lidhje me kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim përmes një vlerësimi shumë të detajuar. Ky është një hap cilësor, i cili duhet të ndërmerret në unanimitet nga të gjithë vendet anëtare të BE-së. Organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në qershor do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë vendim. E njëjta gjë vlen edhe për Raportin e Progresit, të cilin Komisioni i BE-së do ta paraqesë në tetor.
Marrëveshja e lehtësimit të vizave mes Shqipërisë dhe BE-së ka hyrë në fuqi që prej një viti. Si ka ecur kjo marrëveshje për lëvizjen drejt Gjermanisë të kategorive të qytetarëve që përfitojë prej saj? A kanë qenë të besueshme dokumentet e deritanishme të identitetit? A ka kërkuar zyra konsullore e ambasadës gjermane dokumente shtesë, si certifikata personale të lindjes apo edhe familjare?
Marrëveshjen e lehtësimit të vizave e shoh si një hap të rëndësishëm përpara. Afërsisht 1/3 e aplikuesve të vizave nuk paguajnë më tarifat e vizave në ambasadën gjermane, kurse pjesa tjetër e aplikuesve, 2/3 e përfitojnë vizën kundrejt tarifave të reduktuara. Një tjetër hap përpara është fakti, që për ne është bërë më e lehtë të japim viza me shumë kalime. Numri i vizave me shumë kalime pothuajse është trefishuar që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave më 01.01.2008. Ndërsa lidhur me besueshmërinë e pasaportave, për fat të keq na duhet shpesh të konstatojmë se qytetarët, të cilëve u është refuzuar viza, aplikojnë sërish me një pasaportë të re, me të dhëna pak të ndryshuara. Ky nuk është një argument kundër pasaportave, meqë ra fjala ato janë prodhuar në Gjermani, por kundër procesit të lëshimit të tyre.
Aplikimi me sukses i Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave është një prej parakushteve të Komisionit Evropian ndaj Shqipërisë për liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë. Në qarqet politike të Tiranës flitet që kjo mund të ndodhë aty nga fundi i këtij viti, 2009-ës. A është realiste kjo mundësi apo thjesht produkt i politikës?
Çështja e liberalizimit të vizave është një çështje teknike. Bashkimi Evropian ka formuluar të ashtuquajturën "Visa liberalization road map". Aty paraqiten kushtet që duhet të plotësohen nga secili prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që BE-ja të heqë detyrimin e vizës. Një nga këto kushte është zbatimi me sukses i Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave, por edhe pasaporta më të mira, një sistem i integruar sigurie për kufijtë dhe pika të tjera të rëndësishme për sigurinë e brendshme të BE-së. Sapo të jenë përmbushur këto kushte, Komisioni Evropian do t'u propozojë vendeve anëtare heqjen e detyrimit të vizave. Vendimi lidhur me këtë propozim duhet të merret në bazë të parimit të shumicës. Pra, vendet e veçanta të BE-së nuk kanë mundësinë të bllokojnë këtë vendim me anë të vetos. Se kur do ta bëjë Komisioni këtë propozim për Shqipërinë, kjo varet nga rezultatet e verifikimit prej tij të kryerjes së reformave në Shqipëri. Ekspertë të Komisionit kanë qenë para pak kohësh në Shqipëri. Komisioni ka deklaruar publikisht se nuk beson në heqjen e detyrimit të vizave për Shqipërinë në vitin 2009.
Si e vlerësoni klimën politike në Shqipëri, performancën që partitë politike dhe shoqëria civile po bëjnë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009?
Shoh se klima politike parazgjedhore në Shqipëri ngadalë po ashpërsohet. Deri diku kjo është diçka normale. Për ne është e rëndësishme që zgjedhjet të vlerësohen "të lira dhe të ndershme". Ky do të jetë një test edhe për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Qeveria, e cila përgatit zgjedhjet, mban mbi supe një përgjegjësi të madhe në lidhje me këtë. Shqetësimi im është që shpërndarja e kartave të identitetit për qytetarët shqiptarë, të cilët nuk kanë pasaportë, po ecën shumë ngadalë. Shumë nga kolegët e mi dhe unë kemi druajtje, se mos një numër i konsiderueshëm njerëzish që nuk kanë pasaportë, më 28 qershor 2009 nuk do të kenë as kartë identiteti. Masat shtesë të shpallura nga qeveria për të lehtësuar sidomos pajisjen e personave në nevojë, kanë qenë të dobishme. Ajo që mendoj është se duhet bërë gjithçka e mundur për krijimin e parakushteve, në mënyrë që deri më 28 qershor çdo qytetar që nuk posedon një pasaportë dhe që dëshiron të ketë një kartë identiteti të mund ta përfitojë atë.

Deklarata e Drejtorit të Zgjerimit të BE-së, Leigh
Kushti i BE pas aplikimit: Zhvilloni zgjedhje të lira dhe forconi ligjin

Drejtori për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Michael Leigh, e cilësoi paraqitjen e kërkesës së Shqipërisë si vend që kërkon të marrë statusin e kandidatit për në BE si "një gur të madh kilometrik" të Shqipërisë. Leigh theksoi se vendimi tashmë varet Këshilli Evropian dhe nga zhvillimi i zgjedhjeve të lira e demokratike, si dhe forcimi i ligjit. Drejtoi për Zgjerimin nënvizoi arritjet pozitive të Shqipërisë për reformat e ndërmarra, ndërsa kërkoi vazhdimin e tyre. "Shqipëria ka vazhduar të përparojë me reformat kyçe politike dhe me përgatitjen e saj për integrimin evropian. Që prej vitit 2006 janë zbatuar mirë nenet tregtare të Marrëveshjes së Ndërmjetme. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) hyri në fuqi në prill 2009. Shqipëria ka pasur një rol konstruktiv dhe stabilizues në rajon. Dhe është tashmë në dorë të Shqipërisë të futet në një fazë të re të integrimit evropian, duke përmirësuar në veçanti sundimin e ligjit. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme në qershor mbetet një kusht kyç", u shpreh Leigh. Sipas tij, do të jetë Këshilli i Bashkimit Evropian që do të vazhdojë më tej procedurat pas depozitimit nga ana e Shqipërisë të kërkesës së saj, por nuk ngurroi të parashtrojë dhe kushtet që duhet të përmbushë vendi. "Tashmë i takon Këshillit të BE-së të vazhdojë më tej, të paraqesë opinionin e tij dhe të shqyrtojë kërkesën. Shqipëria ka bërë përparim të vazhdueshëm në reformat kyçe që nga 2006. Shqipëria ka luajtur një rol stabilizues në Ballkan. U takon shqiptarëve të shfaqin aftësitë e kapacitetet për të kaluar në etapën tjetër të anëtarësimit evropian. Forconi ligjin, mbani zgjedhjet e lira dhe demokratike, bëni përparime solide në reformat ekonomike si dhe krijoni mjedis të favorshëm për biznesin. Këto mbeten kushte kyçe. Perspektiva evropiane për Shqipërinë e vendet tjera të rajonit është thelbësore", tha zyrtari i lartë i Brukselit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›