E Shtunë, 31 Tetor 2026

RAI, një dokumentar për Gjirokastrën

 

Gjirokastër 

Prej hyrjes në listën e trashëgimisë kulturore, botërore, ajo nuk është më vetëm shqiptare. Nën “vulën” e UNESCO-s, Gjirokastra pret e përcjell turistë nga vende të ndryshme të botës, por edhe grupe xhirimi, që me kamerat e tyre filmojnë pamjet e qytetit. Ka mes tyre amatorë, por edhe profesionistë që përfaqësojnë media të fuqishme. Ditët e fundit në Gjirokastër ka qenë i pranishëm një ekip televiziv italian me synimin për të realizuar një dokumentar, ku do të prezantohen vlerat e veçanta historike, arkitektonike dhe turistike të qytetit të Gjirokastrës. Tashmë xhirimet kanë mbaruar dhe së shpejti pritet, që në një nga kanalet e RAI-t të shfaqet dokumentari. Sipas grupit të xhirimit, të drejtën e transmetimit të këtij dokumentari e ka programi i dytë televiziv italian, RAI DUE dhe ekipi televiziv italian drejtohej nga kryeredaktori i TG 2, Ulderico Piernoli, gazetar i njohur i kronikës dhe aktualitetit. Krahas gazetarëve dhe kameramanëve, pjesë e grupit të mbërritur nga Italia kanë qenë edhe specialistë të arkeologjisë nënujore dhe speriologjisë të drejtuar nga përfaqësuesi i shoqatës A.S.S.O, Mario Masoli. Infrastruktura televizive dhe kërkimore është mbështetur teknikisht edhe nga Guardia di Financa. Grupi i RAI DUE ka realizuar xhirime të ndryshme në zonën historike të Gjirokastrës, kështjellën e gurtë, komplekset muzealë etj. “Jam i mrekulluar nga gjithë këto vlera dhe pasuri të veçanta dhe origjinale që mbart ky qytet”,- thotë kryeredaktori i TG 2, Piernoli. Sipas tij dokumentari në fjalë do të ketë pikërisht si synim promovimin dhe publikimin e këtyre vlerave në shërbim të njohjes dhe informimit të miliona teleshikuesve të RAI DUE për vlerat turistike që mbart Gjirokastra. Një vend të veçantë në këtë dokumentar zënë edhe xhirimet e realizuara në zona të ndryshme turistike dhe natyrore që rrethojnë qytetin. Pjesë e tyre janë edhe filmimet e realizuara në dy prej burimeve karstike, që ndodhen fare pranë qytetit të Gjirokastrës, në shpellën e Skotinisë dhe Mëmën e Viroit. “Aq sa na mundësonte koha e qëndrimit këtu në Gjirokastër, ne realizuam disa zhytje studimore në shpellën karstike të Skotinisë dhe burimin e Viroit”,-shprehet për gazetën drejtuesi i A.S.S.O, Mario Masoli. Sipas tij kjo shoqatë ka në qendër arkeologjinë nënujore dhe studimet speriologjike dhe e shikon me mjaft interes përfshirjen në punën studimore edhe kërkimet në lidhje me vlerat natyrore dhe ambientale të burimit të Skotinisë dhe Viroit. Për studiuesit italianë me vlerat interesante që mbartin këto dy burime mund të kthehen në pika të preferuara për t’u vizituar nga turistët. Madje përfaqësuesit e kësaj shoqate premtojnë të rikthehen sërish në verë për të bërë kërkime dhe studime më të detajuara në lidhje me këto burime karstike nëntokësore. “Në kuadër të mbështetjes logjistike që kemi dhënë për realizimin e dokumentarëve të ndryshëm në lidhje me promovimin e turizmit shqiptar edhe kësaj here menduam të vinim në shërbim të këtij qëllimi, infrastrukturën tonë teknike”, -pohon kapiteni i Guardia di Financës, Giampiero Karieri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›