E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria heq “gjendjen e emergjencës natyrore”, Berisha: Përballuam me sukses një nga dimrat më të vështirë të dekadave të fundit

09-03-2012 / Gazeta 55

Kryeministri akuzon kreun e opozitës: “Hodhi vallen e vdekjes, paralajmëroi katastrofa të trefishta nga Twitteri ku bënte ciu-ciu”

UPDATE- Qeveria heq gjendjen e jashtëzakonshme në zonat e izoluara nga bora. Duke folur në mbledhjen e komitetit për emergjencat, kryeministri Berisha theksoi se gjendja e emergjencës është e panevojshme ndërsa ka falenderuar të gjithë punonjësit e administratës dhe qytetarët për solidaritetin e rrallë të treguar për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të izoluara.
Berisha gjithashtu ka bërë një panoramë të situatës aktuale në këto zona, duke njoftuar përmirësimin e situatës. “Ne dolëm nga situata kur asnjë qytetarë i vetëm që kërkoi ndihmë nuk mbeti pa e marrë atë. Dolëm nga kjo situatë pa dëme serioze materiale, pa dëme të ndejshme në gjënë e gjallë të këtyre zonave, dëshmi kjo e shkallës së përgatitjeve të mira që kanë bërë familjet e këtyre zonave për dimrin, që nuk e prisnin në asnjë rrethanë kaq të rëndë”- theksoi Berisha ndërsa shtoi se qeveria mobilizoi të gjitha fondet dhe mjetet për shpërndarjen e ndihmave.
Kreu i qeverisë ka shigjetur edhe kreun e PS-së Edi Rama i cili paralajmëroi katastrofa të trefishta, të borës, energjisë dhe përmbytjeve. “Fatmirësisht shqiptarët e kaluan këtë dimër deri tani pa asnjë katastrofe. Uroj që shoku ciu-ciu të nxjerrë mësime se nuk ndërtohen alternativat vetëm mbi të keqen, edhe kur është, edhe kur s’është, se ja që nuk doli asnjë prej atyre që paralajmëroi ai. Sikur borën ta kishte sjellë qeveria, digat t’i kishte shterë energjia, nuk janë shqiptarët ata që mund t’i besojnë këto gjëra. I uroj sot që ta lexojë këtë muaj që shkoi me zhvillimet e tij që të nxjerrë mësime”- tha kryeministri.
Gjithashtu kryeministri Berisha i bëri thirrje autoriteteve vendore të aplikojnë për grantin e zhvillimit deri më datën 2 prill kur është edhe afati i fundit. “I bëj thirrje autoriteteve vendore, bashkive dhe komunave të Shqipërisë të paraqesin projektet e tyre, të aplikojnë në grantin e zhvillimin të rajonin pasi afati i fundit do jetë 2 prilli, dhe pas kësaj date nuk do të merren më projekte që mund të financohen nga buxheti i shtetit”- tha më tej ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›