E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria i dorëzohet dëborës, Berisha ia kalon topin pushtetit lokal

Mbulimi i më shumë se gjysmës së sipërfaqes së vendin nga dëbora ka bërë që qeveria të ngrejë duart përballë situatës së krijuar. Kryeministri Sali Berisha, siç ka bërë në dy rastet e fundit të përmbytjeve në veri (ndodh njëherë në 100 vite) edhe këtë herë tha se sot një gjeneratë e tërë nuk njeh dimër si ky.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha foli për rolin e pushtetit lokal dhe solidaritetin njerëzor për përballimin e situatës ndërsa për qeverinë u mjaftua duke thënë se do bëhet gjithçka është e mundur.

Por të paktën Berisha nuk e hapi mbledhjen me impresionet e tij nga vizita në Azerbajxhan siç bën pas çdo vizitë e la këtë çështje për në fund të mbledhjes.

Në këtë situatë të krijuar nga reshjet e dëborës, Berisha tha se qytetarët e bllokuar kërcënohen më shumë nga rrezikshmëria që vjen nga çatitë e shtëpive dhe ortegjet.

Rol përcaktues kanë qeveritë vendore, tha Berisha. Kryetarët e komunave të bëjnë gjithçka që është e mundur për ato shtëpi dhe lagje që kërcënohet nga ortegjet e dëborës, shtoi ai.

Përveçse ua kalojë përgjegjësinë pushtetit lokal, Berisha bëri thirrje edhe për solidaritet mes qytetarëve. Ata që e njohin dëborën dhe dimrin me dëborë të madhe ata e kanë të qartë se jetike është roli i kolektiviteti, është solidariteti, është mbështetja që këta qytetarë duhet ti japin njëri-tjetrin. Të ndajnë gjithçka deri sa tu arrijnë ndihmat.

Më tej kryeministri tha se deputetët janë që të gjithë bashkë me qeveritë vendore (Berisha po fliste në mbledhjen e grupit të deputetëve).

Florenc Stafa

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›