Kryebashkiakja e Shijakut largohet nga PS dhe kalon te LSI
Në takimin e djeshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin e Durrësit binte në sy prania e kryetares së bashkisë së Shijakut, Afërdita Alite në krah të kreut të LSI-së, Ilir Meta. Alite fitoi në zgjedhjet e 18 shkurtit 2007 bashkinë e Shijakut nën siglën e Partisë Socialiste dhe kreu i PS-së, Edi Rama, e përdori fitoren e saj në këtë zonë si një tjetër bastion i PD-së që u fitua nga opozita. Kalimi i Alites në radhët e LSI-së duket si përgjigjja e kësaj partie ndaj veprimit të një dite më parë të Partisë Socialiste, e cila i mori LSI-së kryetarin e Bashkisë së Lushnjës, Albert Sanxhaku. Largimi i kreut të kësaj bashkie nga LSI-ja është pasuar edhe nga kryetari i degës së LSI-së në Lushnjë, Vladimir Hajdari. Dy ish-përfaqësuesit e LSI-së e kanë justifikuar largimin e tyre me faktin se dega e Lushnjës nuk është përfaqësuar siç duhet tek kjo parti. Ndërkohë, LSI-ja është braktisur gjithashtu edhe nga kandidatja e kësaj partie në Fier, Rudina Jupe, edhe ajo i është bashkangjitur PS-së. Në përfundim të zgjedhjeve të 18 shkurtit 2007, anëtarë dhe drejtues të LSI-së dhe PS-së ndryshuan disa herë teserat e tyre, duke kaluar nga njëra forcë politike tek tjetra. Por prej disa kohësh, në prag të fushatës elektorale të 28 qershorit dy forcat politike nuk sulmonin më publikisht njëra-tjetrën dhe u duk sikur fenomeni i kalimit sa nga PS te LSI dhe anasjelltas do të merrte fund. Megjithatë vetëm dy ditë para se të niste zyrtarisht fushata elektorale, dy kryetarë bashkish, konkretisht ai i Lushnjës dhe i Shijakut kaluan njëri nga LSI te PS dhe tjetra nga PS te LSI, çka mund të rrisë tensionin dhe akuzat në fushatë.