E Diel, 1 Nëntor 2026

AH1N1, shqiptari humb jetën në spitalin e Napolit

Brenda territorit të vendit tonë nuk ka gjetur vdekjen asnjë shqiptar nga virusi i derrit, AH1N1. Por jashtë hapësirës shqiptare kanë gjetur vdekjen nga gripi i derrit dy shqiptarë. Është shënuar dje rasti i dytë, i një tjetër bashkëkombësi, i cili ka humbur jetën për shkak të komplikacioneve nga gripi i derrit, AH1N1. Dje, një 37-vjeçar shqiptar ka gjetur vdekjen nga A/H1N1 në spitalin "Mondali" të Napolit në Itali. Sipas autoriteteve shëndetësore italiane, shqiptari vuante nga një sërë sëmundjesh dhe çrregullimesh në organizëm. Virusi i gripit të derrit ka shkaktuar komplikacione të mëtejshme të pacientit, duke shkaktuar edhe vdekjen. Pacienti shqiptar ndodhej në reanimacion që prej datës 6 nëntor. Emigranti u transferua nga një spital rajonal, në qendrën shëndetësore të Napolit, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. 37-vjeçari kishte kryer më parë një transplant veshke dhe ishte në trajtim për zëvendësimin e një valvule kardiake. Po ashtu ai kishte probleme me diabetin dhe hipertensionin. Sakaq, mediat italiane kanë deklaruar se aktualisht ka të dhëna se një tjetër pacient shqiptar ndodhet në trajtim intensiv, për shkak të infektimit nga virusi i derrit AH1N1. Pacienti aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin e Pavias. Sipas mediave të huaja, pacienti 35-vjeçari me banim në Teramo, është transferuar urgjentisht me helikopter të dielën në spitalin e Pavias. Mjekët janë treguar optimistë mbi përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore, i cili aktualisht është në gjendje konstante, pavarësisht se ka një prognozë të rezervuar.

Dje, në Itali, janë shënuar pesë viktima të reja nga virusi i gripit të derrit. Ndërkohë që në Shqipëri, numri zyrtar i të prekurve nga gripi i derrit është 121 persona.

Lo.Mi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›