Mbrojtja deklaron se do ta çojë çështjen deri në Strasburg
Gjykata e Apelit Durrës lë në qeli klerikun Artan Kristo, i cili akuzohet për nxitje e thirrje me qëllime terroriste. Apelimi i masës së arrestit nga Kristo dhe avokati i tij nuk solli asnjë ndryshim në masën e sigurimit personal ndaj 31-vjeçarit Kristo, i cili do të vazhdojë të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve të nisura ndaj tij. Treshja e gjyqtarëve të Apelit, e përbërë nga Vali Sadiraj, Besim Treshnjeva dhe Valbon Çekrezi, pasi ka dëgjuar avokatin Ilir Malindi dhe akuzën e përfaqësuar nga prokurori Fred Elezi, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, ndërsa pas mbarimit të seancës, avokati mbrojtës thotë se nuk do e lërë me kaq çështjen që, sipas tij, është e paragjykuar. Sipas Malindit, klienti i tij është gjithashtu në vështirësi shëndetësore dhe nuk po trajtohet me medikamente, ndërsa ka shumë të sëmurë të ëmën dhe familja e tij ka nevojë për kujdes. Mbrojtja thotë se do e ndjekë çështjen jo vetëm në shkallët e tjera të gjyqësorit shqiptar, por edhe në Strasburg, pasi është një shkelje e hapur e të drejtave të njeriut. Gjithashtu dhe shumë shokë në besimin fetar të Kristos kanë qenë në oborrin e gjykatës dhe kanë reaguar ndaj situatës që po kalon 31-vjeçari i njohur dhe me emrin Muhamed Abdullah Al Albani, duke e vlerësuar të pambështetur në fakte. Transferimi i dosjes së Kristos nga Tirana në Durrës u bë disa ditë pas arrestimit të tij për moskompetencë. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë e akuzoi Kriston mbi bazën e materialit kallëzues të ardhur më 10 qershor të këtij viti nga Shërbimi Informativ Shtetëror, që e vë nën hetim të arrestuarin për veprën penale "Nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste", të parashikuar nga neni 232/2 i Kodit Penal. Sipas akuzës, personi në hetim Artan Kristo, prej një kohe të gjatë bën propagandë radikale islamike të llojit salafit-tekfirist, me një grup të vogël të rinjsh në Rrashbull dhe Golem, duke dhënë këshilla radikale islamike. Këto këshilla dhe propagandën, sipas akuzës, Kristo e realizonte edhe nëpërmjet website-ve www.forumislamik.com dhe www.udhezimedhedrita.net. Kristo është baba i 7 fëmijëve dhe është në pritje të fëmijës së tetë nga bashkëshortja e tij.
V.Qyrfyçi
V.Qyrfyçi