E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria i shkruan FMN-se: ne vere do te rrisim cmimin e dritave

Kur ka kaluar vetëm pak më shumë se një muaj që nga rritja e fortë e çmimit të energjisë, me gati 18 për qind, qeveria shqiptare është angazhuar përpara ndërkombëtarëve se shumë shpejt do të autorizojë një tjetër rritje të tarifave. Në Memorandumin për Politikat Ekonomike dhe Financiare, në pjesën ku flitet për reformat në sistemin energjetik, qeveria shqiptare i ka premtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar se brenda verës së këtij vitit do të autorizojë një tjetër rritje të çmimeve të energjisë. "Duke parë kërkesën e lartë për energji elektrike gjatë dimrit, ne vendosëm që të hyjmë gradualisht në procesin e barazimit të kostove, duke mbajtur rritjen e shkurtit me 15 për qind, por me një rritje tjetër që do të merret gjatë verës", thuhet në letrën që qeveria i ka dërguar së fundmi Fondit Monetar Ndërkombëtar. Krahas rritjes së çmimit, qeveria i premton Fondit Monetar se do të përmirësojë edhe më treguesit e Korporatës, duke mbledhur më shumë të ardhura dhe duke ulur nivelin e humbjeve. "Në çdo mënyrë ne do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për të ulur humbjet si pasojë e diferencës mes tarifave dhe kostove në 1.2 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Gjithashtu do të rrisim normën efektive të mbledhjes në 62.5 për qind në vitin 2008, duke ulur humbjet në 32 për qind dhe duke rritur arkëtimet në 92 për qind", zotohet qeveria. Aktualisht, në bashkëpunim me Bankën Botërore është duke u hartuar një plan i ri veprimi. Sipas qeverisë, të gjitha këto masa do të rrisin të ardhurat e KESH-it me gati 100 milionë dollarë në vit.

Rritja

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është duke bërë presion të madh mbi Entin Rregullator, që ky i fundit të aprovojë një tjetër rritje të çmimeve. Enti nga ana e tij duket se e kundërshton një rritje tjetër, pas asaj që miratoi në shkurt të këtij viti. Por KESH mendon se kjo rritje nuk ishte e mjaftueshme për ta nxjerrë korporatën nga situata e vështirë ku ajo ndodhet. Prandaj ajo është duke rritur presionin mbi Entin, duke shfrytëzuar për këtë dhe mbështetjen e fortë që ka nga Banka Botërore, por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Nuk dihet se sa do të jetë masa e re e rritjes së çmimit, apo dhe se kur ajo do të ndodhë. Pozicioni i qeverisë në fakt mbetet pak i paqartë. Deri tre muaj më parë qeveria ishte kundërshtari më i fortë i rritjes së çmimit të energjisë, ndërsa tani duket se ka ndryshuar 360 gradë qëndrimin, teksa i premton FMN-së një tjetër rritje shumë të shpejtë. Enti Rregullator i Energjisë duket se është kundër një rritje të re të çmimit. Drejtues të lartë të këtij institucioni thanë për "Shqip" se i kanë paraqitur zyrtarisht kundërshtimet e tyre ndaj kësaj rritje, ndonëse pranojnë se mbi ta po ushtrohet një presion në rritje, jo vetëm nga korporata, por tashmë edhe nga ndërkombëtarët. Që nga 1 marsi, çmimi i energjisë elektrike për familjarët që konsumojnë mbi 300 kilovatë orë pësoi një rritje të konsiderueshme. Tashmë këta konsumatorë e paguajnë çdo kilovat të konsumuar mbi nivelin deri në 300 kw/orë në muaj, me një çmim prej 12 lekësh nga 7 lekë që ishte më parë. Për pjesën tjetër të konsumatorëve, çmimi u la i pandryshuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›