E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti Vjetor 2007: Problemet dhe të ardhurat

Banka e Shqipërisë ngre shqetësimin për nivelin e ulët të investimeve në punë publike, që për vitin 2007 rezultuan në masën 83 për qind. BSH ka publikuar dje Raportin Vjetor 2007, në të cilin janë paraqitur të gjitha të dhënat mbi ekonominë e vendit, financat e qeverisë, politikat monetare, duke përfshirë dhe situatën e sistemit bankar në vend. Te shpenzimet buxhetore, BSH evidenton faktin se qeveria ka rritur ndjeshëm shpenzimet operative, kurse për investimet kapitale rritja regjistrohet më e lehtë. Nisur nga të dhënat e bankës, falë nivelit të ulët të investimeve në infrastrukturë, ekonomisë së vendit i kanë munguar rreth 130 milionë dollarë. Por edhe mbi mënyrën sesi është arritur niveli prej 83 për qind e investimeve publike, BSH ngre problematikën e shpërndarjes së fondeve në mënyrë jo të njëtrajtshme, por të përqendruar në fund të vitit. Si për të ardhurat buxhetore, ashtu dhe për shpenzimet, BSH vëren një ngadalësim të ritmit rritës nga një vit më parë.

Investimet

Gjatë vitit 2007 është vërejtur një tkurrje në ritmin e rritjes së investimeve në punët publike, në krahasim me një vit më parë, edhe pse rritja vjetore ishte rreth 3 pikë përqindje mbi nivelin mesatar të rritjes në tetë viteve të fundit. Sipas raportit të BSH-së, shpenzimet buxhetore prej rreth 3,2 miliardë dollarë përfaqësojnë rreth 93.5 për qind të nivelit të programuar, ndërkohë që rritja vjetore e tyre ishte 10,2 për qind. Në këtë masë rritjeje, investimet publike zënë nivelin më të ulët, rreth 2,2 pikë përqindje, ndërsa pjesa e mbetur shkon për shpenzimet korente. E thënë ndryshe, qeveria ka rritur suksese në shpenzimet për borxhet, pagat, mirëmbajtje pajisjesh etj., ndërsa për projekte infrastrukturore, si shkolla, rrugë, spitale, nuk vërehen rezultate optimiste. Po ashtu, në krahasim me një vit më parë (2006), vërehet një rritje e shpenzimeve për sigurime shoqërore e shëndetësore dhe rënie e barrës fiskale për shërbimet e borxhit publik. Në tërësi, shpenzimet kapitale zënë vetëm 20 për qind, ndërsa pjesa tjetër nga shpenzimet korente. Por situata vazhdon e tillë edhe për muajt e parë të vitit 2008, ku niveli i investimeve të realizuara për janar-mars rezulton në rreth 47 për qind, ose 60 milionë dollarë më pak. Këtë fakt e ka pranuar dhe ministri i Financave, sipas të cilit, "shpenzimeve për investimet publike vijojnë të mbeten në parametra jo në përputhje me objektivat e mëdha që kemi këtë vit për investime, pasi vëllimi në total i investimeve për këtë vit është më i larti historik, shkon deri në 1 miliard dollarë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›