E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgarët, konsulencë për ristrukturimin e hekurudhave

Ekspertët bullgarë të sektorit të transporteve kanë shprehur interes për të dhënë konsulencë të qëndrueshme në favor të zhvillimit në disa sektorë të vendit. Konkretisht, për infrastrukturën hekurudhore, pala bullgare shprehu gatishmërinë për t‘u ofruar hekurudhave shqiptare materiale si dhe konsulencë në kuadër të ristrukturimit të saj. Në fushën e transportit ajror, palët ndanë eksperiencat e tyre lidhur me kuadrin ligjor në këtë fushë, si dhe përafrimin e legjislacionit me atë evropian, ndërsa në atë të transportit detar palët ranë dakord për krijimin e platformave të përbashkëta për shkëmbimin e informacioneve ndërmjet porteve shqiptare dhe atyre bullgare etj. Këto synime u diskutuan gjatë konferencës të zhvilluar në tre ditët e fundit, mes Grupeve të Përbashkëta të Punës për Transportin ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Transportit të Republikës së Bullgarisë. Palët kanë diskutuar dhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e projekteve, të cilat lidhen me Korridorin VIII, ndihmë dhe eksperiencë për zhvillimin e infrastrukturës portuale, si dhe ekspertizë e përvojë në fushën e aviacionit civil dhe atij hekurudhor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›