E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpani: Hidrocentralet, "Gërdecët" e radhës

Ruajtja dhe siguria e objekteve me rëndësi të madhe në vend ka rikthyer debatin në Parlament rreth tragjedisë së Gërdecit. Deputeti i Partisë Demokristiane (PDK), Ndue Shpani, ka ngritur alarmin e një tragjedie të dytë, që mund të ndodhë në veprat hidroenergjetike në vend. Kjo si pasojë e një vendimi të qeverisë për t‘i ruajtur ato jo me forcat e rendit publik, por me roje private. Veprat hidroenergjetike, si Vau Dejës, Koman, Fierza, Ulza, apo dhe Shkopeti, realisht janë objekte mjaft të rëndësishme për ekonominë shqiptare, por njëkohësisht edhe vepra me rrezikshmëri të lartë. "Këto objekte nuk rrezikohen vetëm nga veprime shpërthimi me dinamit etj., por rrezikohen edhe nga një veprim fare elementar, siç mund të jetë lëvizja e një leve, apo shtypja e një butoni nga njerëz të papërgjegjshëm", tha Shpani. Nëse ndodh një gjë e tillë, pasojat e një katastrofe të tillë do të jenë më të mëdha se ajo e Gërdecit, pasi zhduken qytete dhe fshatra të tëra dhe mijëra jetë njerëzish të humbura. Nisur nga rëndësia e ruajtjes dhe e sigurisë së këtyre objekteve, deputeti Shpani ka shprehur mendimin kundër ruajtjes së këtyre objekte me roje private, pasi kriteret e punësimit në këto shoqëri private nuk janë në gjendje të përballen me çfarëdo lloj rreziku që mund të krijohet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›