E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruri, buka dhe indiferenca e qeverisë

• Ndriçim Hysa Arben MollaRritja traumatike e çmimit të bukës në vend përbën shqetësim për konsumatorët, prodhuesit, familjet në nevojë, si dhe atë shqetësim të pandërprerë të opozitës e cila në shumë raste ka ngritur zërin për atë që po ndodhte. Këtij zëri i janë bashkuar dhe shumë mendime të botës akademike. E pa shqetësuar duket të jetë vetëm qeveria, e cila me deklarimet e fundit duket se është qeveri e disa importueseve dhe prodhuesve të miellit dhe se nuk ka të bëjë aspak me popullatën dhe me veten si "qeveri e kafshatës".Deklarimet e qeverisë janë vërtet cinike dhe duket që nuk jeton me këtë realitet, për më tepër vërehet një mosnjohje e politikave dhe praktikave që një qeveri konshiente duhet të realizojë në situata të tilla. 1. Justifikimi se është rritur çmimi botëror i grurit është i pajustifikuar me atë që po ndodh. Rritja e çmimit të bukës është shumë më e madhe se sa rritja e çmimit të grurit në bursë. Diferenca më e madhe qëndron midis çmimit të grurit dhe çmimit të miellit. Rritja e çmimit të grurit të importuar në muajin nëntor 2007 ishte 44.9-45%, kurse rritja e çmimit të miellit është 210%, pra 2.5 herë më e lartë. Deklarimi apriori i ministrit të Financave se: "Nuk mendoj se çmimet në treg janë produkt i marrëveshjeve horizontale që bëjnë prodhuesit dhe as nuk do të jenë objekt i debatit që do të bëjë Ministria e Financave lidhur me çmimet", është shprehje e qartë për t'ia u kaluar gjithë barrën konsumatorëve. Qeveria nuk dëshiron të ndërhyjë për të mos prekur interesat monopoliste të importuesve të grurit dhe të prodhuesve të miellit. Importi i miellit ka rënë dhe është rritur importi i grurit. Në këtë rast duket që nuk ka asnjë iniciativë qeveritare për të kontrolluar çmimin e pajustifikuar të rritur të prodhuesve të miellit. Media ka shtruar çështjen e taksës së sheshtë dhe taksës progresive, politika të zhdërvjellëta, çmimet e referencës, etj.  Po le t'i kthehemi mburojës së marrëveshjeve të fshehta. Ka apo nuk ka marrëveshje të fshehta? Teorikisht praktikat antikonkurruese nuk përjashtohen. Ato përjashtohen vetëm nga maxhoranca e cila hapur thotë se, nuk ka marrëveshje të fshehtë. Nëse publikohen të dhënat dhe autoritetet përkatëse analizojnë është e pritshme të ketë marrëveshje antikonkurruese. Për këtë flet fakti i rritjes dyfish e gjysmë i çmimit të miellit ndaj atij të grurit. Qeveria duhet të lërë institucionet të punojnë ose t'u kërkojë të punojnë për këtë çështje. Por kur ministri përgjegjës, anëtar i qeverisë deklaron që kontrolli nuk do të jetë objekt i debatit atëherë nga kush duhet të shpresohet?!2. Eshtë fakt se çmimet e grurit dhe drithërave në botë janë rritur dukshëm. Po a ka një informim dhe analizë të institucioneve publike për këtë çështje. Çfarë thotë INSTAT dhe Ministria e Bujqësisë për rritjen e çmimit mujor të grurit, miellit në tregun e jashtëm në doganë. Ky informacion është hermetik, jepet çmimi i ananasit dhe shegës por jo i grurit. Kjo është tallja më e madhe që u bëhet konsumatorëve dhe jo vetëm atyre në nevojë. Mungon transparenca dhe përgjegjësia. 3. Sasia e grurit të importuar me çmim të rritur nëpërmjet zhdoganimit i ka dhënë shtetit një rritje të ndjeshme të të ardhurave doganore.Edhe me këtë të ardhur spekulohet kur pretendohet se janë rritur të ardhurat doganore nga shmangia e evazionit doganor. Po si ka ecur çmimi i zhdoganimit të grurit. Gruri bën pjesë ndër mallrat kryesore të zhdoganuara, duke zënë vendin e 8-të dhe në nëntor 2007, zuri vendin e 6 përsa i përket vlerës dhe të ardhurave nga mallrat. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë (statistika  të cilat janë të detyrueshme për t'u publikuar), rezulton se çmimi i zhdoganimit të 1 kg gruri në vitin 2004 ishte 16.1 lekë për kg, në vitin 2005, 14.81 lekë për kg, dhe në vitin 2006 mesatarisht 15.4 lekë për kg, nëntor 2007 27.39 lekë për kg, pra brenda një viti rezulton 44.9-45 % më i lartë. Me shifra shteti ka marrë 1,5 miliardë/lekë më tepër se e njëjta periudhë e një viti më parë. Një rritje jashtëzakonisht e madhe që nuk mund të jetë jashtë vëmendjes të maxhorancës, Partisë Socialiste, medias, shtresave të ndryshme të popullsisë, etj. Natyrisht qëndrimi është i ndryshëm por pyetja është ku shkojnë këto të ardhura?! Pse nuk shkojnë tek konsumatori, familjet në nevojë, fermerët- prodhues për të nxitur prodhimin?!4. Rendimenti i drithërave dhe grurit ka mbetur thuajse konstant, nga 30.5 kv/ha në vitin 2000, 31.1 kv/ha në vitin 2004, 31.6 kv/ha në vitin 2005, 29.9 kv/ha në vitin 2006. Pavarësisht nga rënia e dukshme e peshës së grurit dhe drithërave si në bujqësi dhe në konsum, roli i tyre mbetet parësor. Gruri zinte rreth 42 % në vitin 2000, 36 % në vitin 2006, të sipërfaqes së mbjellë me drithëra dhe zinte vendin e dytë në strukturën e mbjelljeve të tokës arë, pas foragjereve, duke lënë pas kulturat e tjera.Nga vetë natyra e tij në çdo manual të politikave bujqësore gruri dhe nënproduktet e tij konsiderohen me rëndësi strategjike ose të dorës së parë.Në kushtet e rritjes së çmimit të grurit në tregun botëror politikat sektoriale të Ministrisë së Bujqësisë duhet të jenë konkrete e të prekshme. Kujdesi për drithërat, grurin duhet të zërë përparësi në politikat bujqësore, të orientohet dhe mbështetet prodhimi. Në kushtet e rritjes së rentabilitetit të grurit, drithërave, fermerët kanë reflektuar në rritjen e sipërfaqes së mbjellë me farë dhe drithëra. Këta janë angazhuar të rritin dukshëm prodhimin në sipërfaqen e mbjellë, por është e pafalshme mungesa e prognozave të çmimit të grurit dhe orientimi për rritjen e sipërfaqes së mbjellë nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. Sot mbillet rreth 90 000 ha grurë dhe një sipërfaqe akoma më e madhe e tokës arë është në dispozicion të drithërave. Sot mungon fara e grurit, që kryesisht importohet. Nuk pati nga shteti asnjë reagim për heqjen e TVSH-së së farës së grurit dhe të plehrave kimike me gjithë paralajmërimet e opozitës. Interpretimi se heqja e TVSH-së do të çojë gjithë fitimin tek importuesit është e vërtetë vetëm për fazat e para, pasi më pas çmimi bie dhe kjo ulje shkon në favor të fermerit. Ne sot flasim për politika afatgjata dhe vizionare dhe nuk flasim për një ose dy vjet. Duket qartë se çmimet e grurit janë të pakthyeshme dhe ne duhet të jemi të saktë në politikat që do të ndjekim. Eshtë rasti të përsërisim që duhet t'i kthehemi përsëri skemës së heqjes së akcizës të naftës për bujqësinë.Ministria e Bujqësisë duhet të përgjigjet me politika zhvillimore, me politika mbështetëse për prodhuesit e farërave të grurit dhe institucioneve përkatëse, Qendra Kombëtare dhe universitetet, politika taksore p.sh., modeli i Kinës dhe Rusisë, ekstensionin bujqësor. Nuk justifikohet sot ky rendiment i grurit.Si përfundim është e pavërtetë që në këto kushte qeveria nuk ndërhyn dhe çdo gjë e lë në dorën e tregut. Qeveria duhet të njohë koniunkturën, tendencat e ekonomisë botërore dhe të marrë masa për të zbutur efektet negative dhe për të orientuar dhe mbështetur prodhuesit-fermerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›