Dyshimet mbi vdekjen e minatorit
• Hidhen dyshime mbi vdekjen e minatorit Njazi Alliu, i cili mbante detyrën e nënkryetarit të Këshillit Sindikal.BULQIZE / ENVER DOÇINë ditën e ceremonisë së varrimit të babait të 3 fëmijëve, i cili humbi jetën në galeritë e minierës së kromit, kolegët e tij tregojnë motivet që i shtyjnë të mendojnë se ngjarja nuk ishte aksidentale. Pa nisur mirë bisedën me ta, fillimisht të luten: "Ne po flasim, por ju mos na përmendni emrin në gazetë. Nëse guxojmë të prononcohemi jo vetëm na flakin nga puna e na lënë fëmijët pa bukë, por të tjera hesape na presin". As organet e drejtësisë, as drejtoria e avari-shpëtimit, as kolegët e minatorit Njazi Alliu nuk janë në gjendje të sqarojnë rrethanat e ngjarjes tragjike ku humbi jetën 53 vjeçari, Njazi Alliu. Burime të rezervuara sqarojnë se janë ngritur dy pista hetimi, ajo e shkarjes pa dashje të minatorit në trimozhën e kromit dhe mundësia e një akti kriminal. "Dyshojmë se Njaziun e kanë hedhur qëllimisht në trimozhën e kromit, - thotë njëri nga kolegët e tij. - Ai prej kohësh fliste kudo, në mbledhje, në mitingje, në gazeta e televizione dhe sulmonte abuzimet në minierë, korrupsionin e drejtuesve dhe firmës që shfrytëzonte pa mëshirë minatorët e Bulqizës. Trimozha nuk ishte aq e pjerrët sa të përpinte minatorin. Minerali që ne hidhnim në të nuk lëvizte pa e shtyrë për poshtë. Eshtë i dyti nënkryetar sindikate që humb jetën në mënyrë tragjike dhe kemi të drejtë të dyshojmë për ndonjë atentat të mundshëm. I kërkojmë Prokurorisë të hetojë dhe të zbardhë më në fund ngjarjen tragjike". Duke kujtuar ngjarjet e mëparshme në minierë minatorët sqarojnë rrethanat e aksidenteve të tjera. "Në të njëjtin nivel, në të njëjtat rrethana, po në atë vend humbi jetën muaj më parë minatori Sami Doga. E urdhëruan të hynte në një front pune të pasiguruar, siç u veprua me Njaziun. I thanë ta niste sigurimin e frontit nga fundi i tunelit, ndërkohë që ne argumentuam se armatimi duhet të nisë nga fillimi i frontit". Prononcimi i drejtorit të ndërmarrjes, Petrit Duva ka sjellë reagimin e minatorëve dhe ish-minatorëve. Ish-inxhinieri, veterani i minierës së kromit, Jorgo Kola pasi fajëson stafin drejtues dhe teknik për ngjarjen e rëndë shprehet se: "Nuk është e moralshme të fajësosh viktimat. Edhe sikur ata të jenë fajtorë nuk mund të konsiderohen të tillë. Ngjarjet në minierë vijnë për shkak të masave të pakta të sigurisë dhe në ndonjë rast dhe të pakujdesisë së minatorëve". Kryetari i këshillit sindikal të minatorëve, Dilaver Përkoxha thotë se siç ai e ka mësuar ngjarjen nga të tjerët, Njaziu është futur në trimozhën e kromit për ta zhbllokuar atë. "Askush nuk e di në ç'rrethana ka hyrë në "hinkën" e vdekjes dhe sa orë ka mbetur i bllokuar nga afro 10 tonë material. Në frontin e punës ku ai punonte thuhet se ka pasur pranë Ismail Kolën. Sipas deponimeve të tij, Njaziu i ka thënë se po largohej për të marrë një levë për lëvizjen e materialit në trimozhë. Nuk është kthyer për një kohë të gjatë dhe pastaj është hedhur dyshimi se ai mund të kishte përfunduar në trimozhë. Atëherë kur ortaku ka kërkuar ndihmë është ndërhyrë me forca të tjera për të hapur trimozhën e kromit dhe bashkë me materialin ka dalë trupi i pajetë i minatorit 53-vjeçar, ish-minatorit për 22 vjet në nëntokën e Bulqizës". Në minierën e Bulqizës ka mbërritur dje dhe presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë. Në prononcimin e tij ai kërkon që qeveria të marrë masa urgjente për ndaljen e ngjarjeve tragjike. "Nuk mund të tolerohet më gjatë. Në 13 muaj kanë humbur jetën 8 minatorë. Janë lënë jetimë 19 fëmijë. Ne kërkojmë të garantohet jeta e minatorëve".Minatori: Kemi frikëNë 13 muaj kanë humbur jetën 8 minatorë dhe askush nuk është ndëshkuar. Humbja e jetës së minatorëve në thellësitë e nëntokës gati nuk përbën lajm për minatorët e Bulqizës. Të frikësuar në kulm ata thonë se nuk dinë fatin e tyre. "Kemi frikë të hyjmë në minierë, - thotë Kujtim Kaja. - Hyjmë të gjallë e dalim të vdekur. Fatin tonë askush nuk e di. Po vdesin njerëzit si të jenë bagëti e shteti nuk interesohet fare. Ne duhet të bëjmë kujdes që askush të mos lëvizë i vetëm në galeri. Nuk i dihet, njerëz jemi e ndodh gjithçka. Mund të sëmuremi apo "dikush" kërkon të "hakmerret" ndaj nesh. Askush deri tani nuk është vënë para ligjit për ngjarjet tragjike në minierë. Eshtë skandaloze të fajësohen viktimat si fajtore. Kjo nuk ndodh askund, vetëm në Bulqizë".Ruçi: Ruli të japë dorëheqjenKryetari i Asamblesë Kombëtare socialiste, Gramoz Ruçi fajësoi qeverinë për tragjedinë e fundit në minierën e Bulqizës. "Qeveria e Shqipërisë dhe ministria e linjës, kanë dështuar totalisht, të kapur nga korrupsioni, paaftësia dhe së fundmi papërgjegjshmëria në ekstrem për jetën e njeriut. Prandaj, dhënia e menjëhershme e dorëheqjes së Ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, do të ishte ndjesa e parë për jetën e këtyre njerëzve, si dhe sinjali i parë, që kjo qeveri nuk do të bëjë vetëm ngushëllime", tha Ruçi. Sipas tij, "shteti po i vret dy herë këta njerëz të pafajshëm, një herë me indiferencën për kushtet e sigurisë, duke mos realizuar asnjë cent nga 25 milionë dollarë të parashikuar në kontratën e firmosur për këtë qëllim, dhe një herë tjetër me mungesën e përkrahjes, deri me cinizmin dhe zhvleftësimin e jetës së tyre".Babai: Njaziu kujdesej dhe për jetimët e të vëllaitNë Fushë Bulqizë, në familjen Alliu presin e përcjellin vizitorë të shumtë. Të afërmit e Njaziut nuk i mbajnë lotët. Babai i dy djemve të aksidentuar në minierë, Njazi e Besnik Alliu, 80-vjeçari Ahmet Alliu nuk i mban lotët, por gjen forca të presë ngushëllimet për shuarjen e pasardhësve të tij. "Kisha dy djem, mbetën të vdekur në minierë. Para një viti e gjysmë mbeti i vdekur Besniku dhe nuk më kishte vajtur në mendje se edhe Njaziu do të kishte të njëjtin fat. Mua vdekja e Njaziut ma mbylli derën. Ai mbante dhe familjen e Besnikut, ishte prind i dyfishtë", thotë ndërsa lotët rrjedhin rrëke nga faqet e rreshkura të plakut të fisit Alliu. Rreth orës 12:00 mbërrijnë nga Italia dy djemtë e minatorëve të aksidentuar në minierë. Djali i Besnikut gjen forca të mbajë për krahu djalin e xhaxhait, Njaziut. Ndërkohë gratë e pranishme në ceremoninë mortore shpërthejnë në vaje. Vetëm dy politikanë kanë ngushëlluar dje familjen Alliu, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Qemal Minxhozi e Sali Shehu.