Arrestohet në Lezhë autori i dytë i vjedhjes së filialit të një banke
Forcat e policisë së Lezhës arrestuan sot autorin e dytë të akuzuar për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme lekësh tre punonjësve të Postës Shqiptare, që sapo kishin dalë nga filiali i Bankës Kombëtare Tregtare në Lezhë, në 12 mars të këtij viti. Burime zyrtare nga policia e Lezhës konfirmuan se 30 vjeçari Enver Diva, nga Mamurrasi, u arrestua në një mal, afër qytetit të Lezhës, ku ai qëndronte i fshehur prej disa ditësh. Sipas burimeve të mësipërme, mësohet se 30 vjeçari Diva, i identifikuar si autor i së shtënës me armë në ajër gjatë grabitjes së bankës, sapo kishte mbaruar dënimin e dhënë më parë me 12 vjet heqje lirie për "vjedhje me armë". Më 12 mars të këtij viti tre persona të armatosur dhe të maskuar vodhën nën kërcënimin e armëve një sasi të madhe parash, të cilën tre punonjës të filialit të Postës Shqiptare në Lezhë, e kishin tërhequr në filialin e BKT-së këtë qytet. Policia identifikoi dhe arrestoi më 24 mars shtetasin Elton Gjini. Ndërkohë, policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim edhe autorin tjetër të kësaj vjedhjeje, shtetasin Florind Marku.
...