E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria jep 80 milion lekë nga buxheti i shtetit për përmirësimin e sistemit hekurudhor në vend

Rreth 80 milionë lekë parashikohet të investohen gjatë vitit 2009 nga buxheti i shtetit për përmirësimin e sistemit hekurudhor. Sipas burimeve nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, nga këto fonde rreth 60 milionë lekë parashikohet të përdoren për përmirësimin e gjendjes së infrastrukturës hekurudhore dhe 20 milionë lekë për rritjen e disponibilitetit të mjeteve lëvizëse. Përveç financimeve nga buxheti i shtetit, qeveria shqiptare po shqyrton dhe mundësinë e ndërtimit me koncesion të hekurudhave shqiptare. Ndërkohë, sipas burimeve të mësipërme, në ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit kanë mbërritur kërkesat e para për marrjen me koncesion të hekurudhave shqiptare. "Aktualisht në ministrinë e PPTT-s- kanë mbërritur edhe kërkesat e para për dhënien më konçesion të hekurudhave shqiptare, të cilat po shqyrtohen nga ekspertët dhe pritet që në muajt në vazhdim të paraqiten edhe strategjitë e zhvillimit nga kompanitë e interesuara", thanë burimet. Rrjeti hekurudhor shqiptar ka një gjatësi të përgjithshme prej 447 km linjë kryesore dhe 230 km linjë sekondare, i shtrirë nga Veriu, me stacion kufitar Bajzën, deri në Jug, me stacion fundor Vlorën dhe në Lindje me stacion fundor Pogradecin, në kufi me Maqedoninë. Rrjeti hekurudhor shqiptar lidhet me rrjetin hekurudhor ndërkombëtar nëpërmjet linjës Bajzë- Podgoricë, Mal i Zi, ku aktualisht kryhet transporti ndërkombëtar i mallrave si dhe me Portin e Durrësit, që konsiderohet si porti hyrës i Korridorit VIII. Ky rrjet ka gjerësi normale si hekurudhat e vendeve te tjera europiane, por është i paelektrifikuar dhe pa sistem sinjalizimi. Lëvizja e trenave drejtohet nëpërmjet sistemit të radio ndërlidhjes. Rrjeti hekurudhor shqiptar ka filluar të ndërtohet në vitin 1947 deri në 1986. Gjendja e infrastrukturës hekurudhore ka tregues të ulët teknike, si pasojë, shpejtësia e lëvizjes se trenave në linjë është e kufizuar. Mosha mesatare e mjeteve hekurudhore është e madhe. Transporti hekurudhor shqiptar pas vitit 1990, ashtu si dhe në të gjithë vendet e tjera te Rajonit, si pasojë e ndryshimit të strukturës së prodhimit dhe të fuqizimit të llojeve të tjera te transportit, pësoi një rënie drastike te vëllimeve te trafikut, si në transportin e mallrave, ashtu dhe të udhëtareve. Kjo ulje është shoqëruar me një përkeqësim të thellë të treguesve ekonomike e financiare dhe sidomos nga një mungesë e theksuar e fondeve per mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe mjeteve lëvizëse. Çdo vit buxheti i shtetit, në formë subvencionesh, akordon rreth 4 milionë USD për aktivitetin e operimit dhe 3-4 milionë USD për investime kapitale. Aktualisht Hekurudha Shqiptare ka në inventarin e saj 66 vagonë udhëtarësh, 225 vagonë malli dhe 25 lokomotiva. Me këto mjete transportohen rreth 1,5- 2 milionë udhëtarë dhe rreth 400-500 mijë tonë mallra në vit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›