Gjatë këtij vitit do të investohen 30 milionë lekë për përmirësimin e superstradës Tiranë-Durrës

Rreth 30 milion lekë do të investohen gjatë vitit 2009 nga buxheti i shtetit për përmirësimin e gjendjes së superstradës Tiranë-Durrës. Sipas burimeve nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në buxhetin e shtetit janë parashikuar rreth 30 milion lekë, të cilat do të shpenzohen në kuadër të përmirësimit të gjendjes së kësaj superstrade. Ekspertët të transportit rrugor thanë se nëpërmjet këtij investimi do të ndërhyhet për përmirësimin e shtresës së asfaltit, si dhe për sistemimin e kanaleve anësore. Punimet për ndërtimin e superstradës Tiranë-Durrës përfunduan në muajin qershor të vitit 2001. Kjo superstradë filloi të ndërtohet në vitin 1993 dhe ka një gjatësi prej 29 km. Kosto e plotë e ndërtimit të superstradës me gjerësi 20 metra është rreth 40 milionë euro dhe është financuar nga disa donatorë të huaj dhe buxheti i shtetit. Ndërtimi i autostradës është bërë në disa segmente. Fillimisht janë ndërtuar nga firma "Euroteorema" rreth 5 km me një një kosto rreth 6 milionë euro. Pjesa tjetër e rrugës deri në Vorë, është ndërtuar me financim të buxhetit të shtetit nga firma shqiptare "Albavia". Ndërsa, segmenti Vorë-Sukth, 12,9 km i gjatë, u ndërtua nga firma "Italstrade" me një financim prej 15 milionë euro. Segmenti i fundit, Sukth-Ura e Dajlanit (Durrës), rreth 9 km i gjatë, është ndërtuar nga firma "Ruskala" me një financim prej 15,35 milionë euro. Ndërkohë, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit po ndërton rrugë paralele në superstradën Tiranë-Durrës, me qëllim përmirësimin e kushteve të lëvizjes së automjeteve. Duke patur parasysh rëndësinë e rrugëve paralele të superstradës Tiranë-Durrës, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit po ndërmerr investimin për ndërtimin e tyre. Rrugët dytësore në këtë segment po finacohen nga buxheti i shtetit dhe ato do të ndërtohen në të dy krahët e superstradës. Sipas specialistëve, rrugët paralele Tiranë-Vorë parashikojnë ndërtimin e dy rrugëve ndihmëse paralel me superstradën. Ndërtimi i tyre pritet të zvogëlojë edhe numrin e aksidenteve, si dhe të lehtësojë transportin e bizneseve, që zhvillojnë aktivitetin e tyre në të dy anët e superstradës.
...