Berisha: Ju premtoj të gjithë qytetarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një konferencë për shtyp, një ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të dosjeve dhe dekretimit të datës së zgjedhjeve nga ana e presidentit topi.
Gjatë kësaj konference kreu i qeverisë komentoi ngjarjet më të debatuara kohët e fundit, që nga ligji i dosjeve, kartat e identitetit, zgjedhjet e përgjithshme ne vend dhe anëtarësimin e vendit tonë në BE. Po ashtu në këtë konferencë Berisha komentoi dhe deklaratën e kreut të KE-së, Terri Devis. Sipas tij, deklaratat janë të mirëpritura por, sipas tij, “nuk ka ligj lustracioni pa kritika”.
Ligji i “Dosjeve”
Gjatë komentit të tij, kryeministri tha se, ligji ka kufizime të të drejtave për ata persona që preken nga ligji. “Unë pranoj që ka një kufizim të të drejtave, por kjo nuk është pa afat, pasi po të jetë me afat do të ishte i rregullt ai që lexojmë”. Në deklaratën e tij, Berisha renditi një sërë vendesh që kanë përgatitur një ligj lustracioni si i joni, duke thënë se dhe ata kishin këtë të drejtë. Sipas kryeministrit, ligji i lustracionit ka një afat, që është 5-vjeçar. “Vendet e tjera kanë përcaktuar për ndëshkim, sanksione të gjata sociale”, tha ai. “Ne i jemi përmbajtur parimit të KE-së, për këtë ligj. Por ka vende që kanë përdorur sanksione, kjo ka ndodhur dhe në vitin 2007. Ligji ynë me të tjerët ka një dallim. A do ishin ju dakord që, Presidenti, Kryeministri, Ministri, Deputeti të kenë qenë bashkëpunëtorë dhe vartësi i tij, të mos ketë qenë? Nuk mund të punosh ti që ke qenë vartësi im, ndërsa unë jo. Ky është ndryshimi. Ligji çek nuk e ka, por ligje të tjera e kanë”, tha në fjalën e tij, kryeministri Berisha.
Procesi zgjedhor
Në konferencën për shtyp, të mbajtur pak më parë në selinë e Kryeministrisë, Sali Berisha tha se, procesi zgjedhor do të jetë i lirë, i drejtë dhe i denjë për moralin e shqiptarëve, të cilët do të votojnë si qytetarët evropian. Kjo gjë është përparësia ime më e madhe. U bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë që të bëjmë një proces zgjedhjesh të lira, të ndershme. Në fund një palë do të fitojë e një tjetër do të jetë në opozitë. Por në fund do të fitojnë shqiptarët, qytetarët e tyre”, tha ai.
Nënshkrimin e MSA
Kryeministri Sali Berisha, përshëndeti përfundimin e nënshkrimit të MSA-së, nga 27 vendet e Bashkimit Europian. “Ky është një hap historik për shoqërinë. Është një sukses spektakolar i kësaj qeverie. Në qershor të 2008, 27 ministrat e BE, shpallën si frymëzues ecurinë e reformave në Shqipëri”. Sipas tij, “Shqipëria ka sot nivelin treguesit e kriminalitet nën mesataren e BE-së. Shqipëria u njoh si kampione nga Transparence Internacional, në luftën ndaj korrupsionit, për vitin 2008. Drejtësia shqiptare vendosi para ligjit me dhjetëra e dhjetëra zyrtarë shqiptarë. Firmosja e MSA-së, u bë e mundur nga suksesi i Shqipërisë kundër korrupsionit. Kjo luftë e ngriti vendin tonë në 10 vendet e para që ka luftuar këtë fenomen”, tha kryeministri. “Nënshkrimi i MSA-së erdhi dhe nga reforma në sistemin e taksave, ku Shqipëria zë vendin e dytë në botë. Ne shpallëm se reformat dhe vetëm reformat do të ishin alfa dhe omega e qeverisjes sonë. Pra Shqipëria po ndryshon” tha kryeministri, për çështjen e parë të konferencës.
...