Enveri, më i miri
Mes etheve dhe magjisë televizive ka startuar të enjten mbrëma ekskluzivisht në ‘Tring Digital’ dhe ‘Vizion Plus’ edicioni i dytë i spektaklit galant të vallëzimit, “Dancing with the stars Albania”. Producentja Holta Dulaku, regjisorja Vera Grabocka dhe stafi i saj kanë sjellë për publikun shqiptar emocione të reja përmes skenave dhe prapaskenave të këtij spektakli madhështor, të licencuar nga rrjeti prestigjioz televiziv britanik “BBC”.
Vipat në garë janë dukur në formë të shkëlqyer, madje sipas kryetarit të jurisë, Ilir Shaqiri, mes tyre ndihet dhe një atmosferë afrimiteti më e madhe nga viti i kaluar, çka flet qartë për një punë parapërgatitore të zhvilluar me shumë seriozitet. Surpriza e mbrëmjes së parë të “Dancing with the Stars” ka qenë aktori i njohur Enver Petrovci, i cili me valsin e interpretuar fitoi jo vetëm duartrokitje në sallë (gjatë dhe pas interpretimit), por edhe 25 pikë të dhëna nga juria, që ka qenë vlerësimi më i lartë i mbrëmjes dhe e rendit aktorin Petrovci në krye të listës së VIP-ave.
Arena e vallëzimit do të jetë edhe: Agnesa Vuthaj, francezja Eloise le Petit, këngëtaret Vesa Luma e Çiljeta Xhilaga, Shpat Kasapi dhe Olsi Mingomata, i njohur për pjesëmarrjen e lojën e tij në një nga edicionet “Big Brother”.