Qeveria kosovare: Vizitat e zyrtarëve serbë, të rrezikshme
• Autoritetet kosovare i kanë vlerësuar si provokime politike të rrezikshme vizitat e zyrtarëve serbë në territorin e Kosovës, në përkujtimin ......e trazirave të marsit 2004, ku kosovarët sulmuan etninë serbe pas shtypjes disavjeçare nga regjimi i Millosheviçit. “Vizitat e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë kanë për qëllim që të kuptohet se Serbia ende ka ndikim në Republikën e Kosovës”, tha zëvendëskryeministri kosovar, Hajredin Kuçi. Sipas tij, përgjegjësinë kryesore për lejimin apo moslejimin e vizitave të tilla e ka UNMIK-u. “Nuk duhet që Kosova të shfrytëzohet si arenë e ndikimeve politike në Serbi. Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe do të funksionojë si shtet i tillë”, ka theksuar Kuçi si reagim ndaj vizitës së paralajmëruar të ministrit serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç në manastirin e Graçanicës ku do të kryhet një ceremoni për viktimat serbe të katër viteve më parë. “Kjo është tendencë e ndikimit të Qeverisë së Serbisë në Republikën e Kosovës. Mendoj se nëse është vizitë e një qarkullimi të lirë, dhe, ka një qëllim të organizimit të jetës apo diçka tjetër, do të ishte më mirë që të bashkëpunojë përmes realitetit të ri me Qeverinë e Kosovës. Dhe këtu besoj dhe mendoj se përgjegjësinë kryesore për vizita të tilla, për lejimin apo moslejimin, e ka UNMIK-u”, ka thënë zv/kryeministri Kuçi. Duke shtuar se Kosova është në një fazë tranzicioni, kur Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i marrë kompetencat e plota dhe se vendi ynë nuk duhet shfrytëzuar si arenë e veprimeve politike të Serbisë, thotë zv/kryeministri Kuçi. Lidhur me gjendjen rendit dhe sigurisë në veri të Mitrovicës, Kuçi tha se Qeveria e Kosovës, ka ftuar qytetarët serbë që të integrohen në institucionet dhe në jetën shoqërore të Kosovës. Sipas Kuçit, në Kosovë tensionimet e tilla kanë më shumë ndikim nga Beogradi, se sa që ka ndonjë pakënaqësi apo paqartësi nga qytetarët shumicë. “Qëllimi i veprimeve të serbëve në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, nuk është i mirë dhe ne kemi kërkuar nga UNMIK-u që ta kthejnë gjendjen e mëparshme, pra në dorën e institucioneve dhe t’i heqë huliganët nga aty, në mënyrë që institucionet e Kosovës dhe i tërë territori të mbrohet në tërësi”, tha Kuçi.Prishtinë, shpërthim i madh gaziEdhe Prishtina është mbërthyer nga një shpërthim mbrëmjen e së shtunës, si pasojë e një rrjedhjeje të konsiderueshme gazi, flaka e së cilës shkaktoi 5 viktima, tre në gjendje të rëndë. Një zëdhënës i KFOR-it ka deklaruar se nuk mund të mohohet rreziku që kjo ngjarje të jetë e provokuar qëllimshëm. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 në rrugën “Bajram Kelmendi”, afër Teatrit “Dodona” në Prishtinë. SHPK-ja ka evakuuar të gjithë banorët e kësaj lagje, pasi sipas njoftimeve nga autoritetet policore, gazi vazhdon të rrjedhë. Të lënduarit janë vizituar në spital nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Edhe Kryeministri Hashim Thaçi, ka angazhuar zyrtarë të qeverisë që brenda ditës personi i cili është lënduar rëndë të dërgohet për kurim në Turqi. Por sipas drejtorit të Emergjencës në QKUK, Basri Leniani, transferimi është i pamundur sepse ky i plagosur ka pak gjasa për t’i mbijetuar djegieve, pasi shkalla e djegies në trupin e tij është mbi 90 për qind. Ekipet profesionale mjekësore te kirurgjisë plastike po bëjnë të gjitha përpjekjet për trajtimin e dy të plagosurve të tjerë me djegie të shkallës 35 dhe 50 për qind. “Ende ekziston rreziku, policia për shkaqe të sigurisë ka evakuuar të gjithë banorët në një perimetër prej mëse 150 metrash, bëhet fjalë për disa shtëpi dhe disa ndërtesa përreth. Përndryshe ende është duke rrjedhur gazi nga një cisternë, e cila ishte dje duke bërë transportimin e gazit nga auto-cisterna në cisternën e pronarit”, sqarojnë në SHPK. Shërbimi Policor i Kosovës, informon të gjithë qytetaret që të mos afrohen në vendin e shpërthimit, sepse mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi më e madhe.