Gruevski: Nuk do t’u përgjigjem akuzave e ofendimeve të PDSH-së
• 15 ditë para Samitit të NATO-s në Bukuresht, kreu i qeverisë maqedonase, Nikolla Gruevski, tha se do të lerë mënjanë çdo provokim të partive politike, (duke iu referuar PDSH-së), dhe dot’i përqendrojë të gjitha forcat në samit për të mos lejuar që vendi të humbasë pikë nga ngërçi politik i krijuar së fundmi. “Nuk do të përgjigjem me akuza dhe ofendime PDSH-së, sepse ndoshta kjo atyre u përgjigjet që të merren me mua, por mua nuk më intereson të merrem tani me akuzat e tyre. Koha dhe historia do të tregojë se kush ka të drejtë”, deklaroi dje Kryeministri Nikolla Gruevski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me thirrjen për bojkot në institucionet shtetërore nga ana e ministrave të PDSH-së. “PDSH-ja vendosi të kryejë shantazh. Unë nuk pranoj shantazhe. Sidomos jo të këtij tipi dhe të vendosura në këtë mënyrë. Ky nuk ishte një hap i papritur i PDSH-së. Ne jemi në koalicion prej një viti e gjysmë, unë njoh shumë dobësi të tyre, lëshime dhe gabime, megjithatë për mua qëllimi nuk është PDSH-ja, përgjigjet dhe ofendimet kundër tyre. Unë në këtë periudhë jam i përqendruar vetëm në interesat shtetërore. Jetojmë në 15 ditët e fundit deri në Samitin e NATO-s, kur kemi njëfarë gjase që ta marrim ftesën për në NATO”, theksoi Gruevski duke shtuar se PDSH-ja le të flasë çfarë të dojë, ai nuk do të merret me ata. “Qeveria Gruevski do të vendosë të gjitha forcat për të vazhduar realizimin e obligimeve në ditët që vijnë për vendin të ketë pozicion sa më të fuqishëm që është e mundur dhe rezultat më të mirë në fillim të prillit”, tha kryeministri maqedonas. “Lidhur me faktin se kush ka punuar për Xhorxh Bushin, Menduh Thaçi apo dikush tjetër, këtë e di vetëm Xhorxh Bush”, shtoi Gruevski. Kryeministri i Maqedonisë theksoi se jetojmë në kohën kur mund ta humbim betejën 17-vjeçare për emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, nëse fillojmë të zihemi mes vete, duke theksuar se nuk mendohet për kompromis me emrin. “Nuk pranoj shantazhe nën presion të këtillë dhe në momente të këtilla historike për vendin”, ka theksuar kreu i qeverisë maqedonase në intervistën për Agjencinë e Lajmeve të Maqedonisë, (MIA), tha ai duke iu referuar gjashtë kërkesave të PDSH-së. “Ekzistojnë shumë teori për daljen e PDSH-së. Disa analistë konsiderojnë se ata duan ta rrisin rejtingun e tyre, të tjerë thonë se PDSH-ja është shumë e frikësuar nga zgjedhjet e parakohshme dhe me këtë dëshiron krizë, me të cilën do t’i parandalojë zgjedhjet e parakohshme, të tretë flasin për marrëveshjet e tyre me parti dhe politikanë të tjerë në Maqedoni për qëllime, të cilat së shpejti do të shihen, të katërt thonë se në pyetje është axhenda dhe skenare të shteteve të tjera, të Greqisë, Kosovës, Serbisë..., tha Kryeministri i Maqedonisë. “Kur një parti bën një hap të tillë, duhet të dijë se elektorati i saj do ta njohë këtë dhe nuk do të jetë shumë i lumtur, sidomos jo në këtë kohë. Edhe shqiptarët e Maqedonisë dëshirojnë të hynë në NATO, ndërsa pjesa më e madhe, sipas sondazheve janë të interesuar njëlloj si edhe numri më i madh i maqedonasve të mos viktimizohet emri kushtetues. Megjithatë, ajo që është më me rëndësi të porositet është që qytetarët të jenë të inkurajuar, sepse vendi ka kapacitet të ballafaqohet me të gjitha sfidat”, thekson Gruevski.