Topi pret në Presidencë delegacionin e Realit
TIRANE- Kreu i shtetit, Bamir Topi priti sot në Presidencë Presidentin Florentino Perez, drejtues dhe ish-futbollistë të Real Madridit, të cilët janë në Tiranë për të zhvilluar një ndeshje miqësore me Gramozin. Fondet e mbledhura nga zhvillimi i kësaj ndeshjeje miqësore do të shkojnë në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura në veriperëndim të vendit. Pasi u përshëndet dhe i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Presidenti Topi vlerësoi mesazhin e madh njerëzor të solidaritetit për zonat e përmbytura në veri të Shqipërisë, së cilit i bashkangjitet edhe skuadra legjendare e Realit të Madridit. Presidenti mori si dhuratë një një fanellë të ekipit me emrin e tij dhe numrin 10 ndërsa Perez ju dhurua një statujë e Nënë Terezës. “Futbolli sot nuk është thjesht sport. Futbolli dhe çdo lloj sporti është mision i madh qytetar dhe kjo vlen më shumë për një klub historik siç është Reali i Madridit. Ju vini në një moment kur Shqipëria është tërësisht e fokusuar në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Kështu që edhe ky eveniment e forcon imazhin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Ju e dini fare mirë që kemi edhe një mision tjetër, në kohën kur Veriun e Shqipërisë ka mjaft zona të përmbytura, të cilat gradualisht po dalin nga ajo situatë, ju vini edhe për të shprehur solidaritetin” u shpreh Topi. Nga ana e tij, Presidenti i Realit premtoi se do të hapë në zonat e përmbytura një shkollë futbolli me emrin e Realit të Madridit. Kjo nismë , tha penez bëhet për tu qëndruar pranë fëmijëve të këtyre zonave. (e.n/BalkanWeb)