Qeveria legjitime, do mbarojë mandatin e plotë
“Zoti Rama mund të bëjë thirrje sa të dojë. Z. Rama ka bërë thirrje dhe për ta marrë pushtetin me dhunë, bashkë me aleatët e tij. Asnjë nga këto nuk ka për të ndodhur”. Kështu u shpreh dje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në një intervistë për “VOA”, ai tha se qeveria ka legjitimitet të plotë. “Të jeni të sigurt se kjo qeveri do e çojë deri në fund mandatin e saj. Kjo qeveri do të mbetet gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar me opozitën, por kurrë nuk mund të merret kredibiliteti i sistemit kushtetues të vendit peng nga një politikë krejtësisht destruktive dhe pa të ardhme, që për fat të keq po ndjek kryetari i PS-së”, theksoi Meta. Sipas tij, askush nuk mund të kërkojë, në emër të një zgjidhjeje afatshkurtër dhe të paprinciptë politike, që i gjithë sistemi kushtetues i vendit, që është ngritur me kaq vështirësi, me kaq mundime prej më shumë se 10 vitesh, të kalojë në një kolaps për hir të një teke të dikujt. “Kutitë nuk mund t’i hapë as Parlamenti dhe askush tjetër. Kutitë mund t’i hapë prokuroria, në rast se Partia Socialiste ka të dhëna, apo ngre pretendime për çështje të caktuara. Ajo e ka këtë të drejtë për të hetuar, dhe në rast se ata duan që t’i hapë Parlamenti, përderisa ka ekzistuar dhe ekziston një bindje që kjo është anti-kushtetuese, Partia Socialiste duhet të marrë një konfirmim nga Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Meta. Kemi qenë të hapur, vijoi ai, dhe për Komisionin e Venecias që është ndërkombëtar, dhe kjo nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën.
#