E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet pallati,tre nën gërmadha

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Gjirokastra është tronditur dje nga një katastrofë me përmasa humanitare, pas shembjes së një pallati 5-katësh. Bilanci fillestar është tre të humbur, të cilët mendohet të jenë nën rrënoja dhe 16 familje pa shtëpi.  Ngjarja e rëndë u shënua në orën 11:30 minuta në kodrën përballë ish-ndërmarrjes Artizanale pranë aksit nacional Gjirokastër-Tepelenë. Gërmimet prej 40 ditësh për të hapur themelet e një pallati ngjitur me ndërtesën e ngritur në vitet ’80 kanë paralajmëruar tragjedinë. Një tronditje e fuqishme dheu është shoqëruar më pas me rënien e ndërtesës, ku strehoheshin 16 familje. Banorët pranë pallatit kanë përjetuar ngjarjen të shokuar nga ajo çfarë panë me sytë e tyre. Ulërimat dhe klithmat e mbytura kanë dhënë alarmin për atë që po ndodhte. Thuajse gjysma e pallatit është shembur, duke krijuar një masiv mbeturinash inerte, ndërsa gjysma tjetër pësoi çarje të mëdha dhe nga momenti në moment rrezikonte të përmbysej. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje duke krijuar kordon për të mos u afruar njerëzit si pasojë e rrezikshmërisë së lartë, që ekzistonte prej objektit që ende mbahej me vështirësi në këmbë. Ndërkohë që në pjesën jugore, qarkullimi i automjeteve në aksin nacional pranë ngjarjes, është rënduar pasi kureshtarët kanë parë “live” të gjithë skenën e rrëzimit të godinës pesëkatëshe. Banorët e lagjes të tmerruar, kanë dalë nga apartamentet dhe kanë tentuar të afrohen në pallatin e rrëzuar për të kërkuar viktimat e mundshme. Me shkallë dhe mjete të tjera rrethanore, policia ka arritur të nxjerrë nga pjesa që qëndronte në këmbë, 10 banorë nga kati i pestë e deri tek ai i tretë. Dy persona nga pallati përballë tij, kanë rrezikuar mjaft pasi kanë përdorur litarët, për t’u ngjitur në katin e katërt të ngrehinës së ngelur, ku kanë shpëtuar një grua dhe dy fëmijë. I gjithë ky aksion ka kaluar pa pasoja. Mjaft banorë aty përreth nga frika kanë ngelur të shokuar dhe është dashur ardhja e mjekëve të spitalit të Gjirokastrës, për të qetësuar tri persona, të cilët janë trajtuar me qetësues. Ndërkohë pak minuta më pas, është shoqëruar në ambientet spitalore një grua 48-vjeçare Leonora Sinani, me shembje të kockave në të dy këmbët. Kjo ishte e vetmja që u plagos nga shembja, ndërsa veç tre të zhdukurave pohohet se nuk ka të tjerë në rrënoja. Gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondave dhe dy pjesët anësore të pallatit janë shembur menjëherë. Në fillim ka ardhur një tronditje e më pas, masivi i një pjesë të pallatit, është shkëputur, duke marrë përpara çka kishte në pjesën jugore të tij. Shoferi i një ekskavatori që merrej me evadimin e mbetjeve shtufore për llogari të firmës ndërtuese të një godine afër pallatit, është shprehur se pak sekonda para shkatërrimit të një pjesë të godinës, kishte parë një grua në ballkon. “Shembja ndodhi shumë shpejt dhe askush nuk mendoi të kthente kokën pas, por nisëm të vraponim mos na zinte masivi i dheut”, pohon ai.
Pranë grupit të shpëtimit kanë mbërritur dhe forcat zjarrfikëse. Të vetmet dëshmi se poshtë rrënojave ndodheshin tre trupa njerëzish ishin të familjarëve të tyre. Një grua 30-vjeçare me vajzën 12-vjeçare, Valbona dhe Anxhela Dalani si dhe Parashqevi Zoto, 68 vjeçe rezultonin në gërmadha deri në orët e vona të mbrëmjes. Në momentin e rënies së pallatit, ato kanë qenë në shtëpi ashtu si dhe gruaja, e cila mendohet se qëndronte në pjesën të godinës. Deri në orët e vona të ditës së djeshme kërkimet kanë vazhduar nga forca të specializuara, ndërsa sipas krerëve të operacionit dhe gjatë natës ato do të vazhdojnë. Banorët të cilët kanë humbur apartamentet, shprehen se fati ka qenë me ta pasi rastësia i nxori jashtë banesave në momentin e ngjarjes, ndonëse dita e sotme ishte e diel kur njerëzit pushojnë. “Nëse objekti do të kishte rënë në orët e natës, - thonë banorët, - viktimat do të ishin të panumërta”.

Nga Janina për kërkimet

Një grup i specializuar në kërkime nga Janina e Greqisë ka mbërritur pasditen e djeshme në Gjirokastër, si shpresa e vetme për të gjetur trupat e humbur nën gërmadha. Bashkë me ta dhe një qen, në bazë të nuhatjes së të cilit do të lokalizohet vendndodhja. Të gjitha kërkimet po kryhen nën ankth se pjesa tjetër e pallatit mund të shembet nga çasti në çast e mund të rrezikojë dhe jetën e forcave të shpëtimit. Pjesë e tyre janë dhe specialët e RENEA-s. Ata i ndërprenë kërkimet 1 orë pas ngjarjes së rëndë për të rifilluar rreth orës 15:00, pavarësisht panikut se ngrehina mund të shembej plotësisht. Pasdite vonë, prefekti Spiro Ksera nga vendngjarja pohoi, se ka shumë shpresa se tre personat e dyshuar si të humbur të jenë ende gjallë. Ndërsa kreu i Shtabit të Emergjencave, Alfred Olli, pohoi se kërkimet do të vazhdojnë dhe gjatë orëve të natës. Të afërm të dy grave dhe vajzës së mitur që dyshohet se ndodhen nën rrënoja kanë qëndruar gjatë gjithë kohës pranë pallatit, duke ndjekur të tensionuar çdo veprim të forcave të shpëtimit.

“U duk sikur u shemb me tritol, dëgjova ulërima njerëzish”

“Ky pallat do të bjerë ndonjë ditë”. Kështu është shprehur vetëm pak ditë më parë tek të afërmit e saj, Valbona Dalani, njëra nga viktimat që ndodhet bashkë me të bijën 12 vjeçe nën rrënojat e pallatit që u shemb dje në Gjirokastër. Duke parë punimet rrëzë pallatit ku ajo jetonte, çarjen e mureve dhe amortizimin e banesës së saj, 35-vjeçarja e kishte paralajmëruar një tragjedi të tillë. Këtë fakt e bën të ditur një e afërme e saj, Vezire Mema. Ajo dje është ndodhur dëshmitare e kësaj ngjarjeje, ndërsa gjendja e saj psikologjike ishte tepër e rëndë. Mema pohoi se e kishte parë të gjithë skenën nga ballkoni i apartamentit të saj, i cili ndodhet diagonal disa metra larg pallatit që u shemb. “Jam ende e llahtarisur me atë çfarë më panë sytë. Ishte si në ato pamjet që kemi parë në televizor në shembjet e godinave me tritol. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Dëgjova ulërima njerëzish”,  thotë gruaja, e cila teksa flet ndalohet herë pas here për të rimarrë veten. Ndihet e pafuqishme për të rrëfyer një skenë të cilën siç e thotë edhe vetë, nuk ka për ta harruar kurrë. “Valbonën e kam njeriun tim të afërm. Më vjen keq që ndodhi kjo. Është e tmerrshme kur mendon se ajo dhe vajza e saj ndodhen nën rrënoja. Tashmë kaluan shumë orë, dhe nuk kemi shumë shpresa që të kenë mbijetuar. Mbase duhej të ishte ndërhyrë më shpejt... “, u shpreh Vezire Mema. Ajo, dhe të afërm të tjerë të Valbona Dalanit i bëjnë apel grupit të kërkimit të gjejnë trupat. “Mjaft herë, kohët e fundit Valbona më thoshte se do të bjerë ndonjë ditë ky pallat me këto gërmime që kanë filluar aty tej pranë rrugës. Ajo më thoshte se banorët e pallatit e kishin ngritur zërin për gërmimet që bëheshin aty pranë. Madje disa prej banorëve kishin vërejtur krisje në mure, çka ishin alarm për shkaktimin e ngjarjes që ndodhi”, vijoi Mema në rrëfimin e saj.

“Si mbijetova mes rrënojash e telash korrenti”

Gjirokastër/ Piro Naso

“Shyqyr që nuk ndodhi natën. Do të kishte qenë tragjedi e vërtetë”. Kështu e nis rrëfimin e saj nga spitali i Gjirokastrës njëra nga të mbijetuarat nga rrënojat e pallatit. Leonora Sinani, 48 vjeçe, ende e tmerruar nga ndodhia, tregon momentet kur pallati ra. Sapo nisi zhurma, tamam si një tërmet, ajo nxitoi të dalë. Por pasi hapi derën e shtëpisë në katin e parë, gjithçka u shemb. U gjend për shumë minuta mes rrënojash, e rrethuar nga tela të shumtë korrenti. Për fatin e saj të mirë, shumë shpejt, banorët që erdhën për ndihmë e nxorën dhe e çuan në spital. Gruaja, e vetmja që ndodhej mbrëmë në spital (të tjerët pësuan plagë më të lehta) rrëfeu mbrëmë tragjedinë.
Znj.Sinani, ku ishit në momentin e rrëzimit të pallatit?
Isha brenda në shtëpi. Nxitova për të dalë jashtë pasi ndjeva një tronditje sikur ishte tërmet. Sapo hapa derën dëgjova një zhurmë të tmerrshme. Aty ndjeva sikur mu këput diçka te këmbët.
Si arritët të dilnit?
Kam qenë e para që kam dalë pasi erdhën banorë të lagjes dhe policia që më nxorën. Isha më tepër e tmerruar sesa e vrarë. Mbaj mend pak para se të binte pallati disa zëra fëmijësh. Unë isha e rrethuar nga telat e korrentit. Kisha frikë të lëvizja se mos më zinte gjë. Për fat të mirë nuk kishte korrent në atë moment.
Kishit vënë re shenja të krisjes së pallatit më parë?
Unë banoj në katin e parë, por komshinjtë më kishin thënë se i ishin krisur muret, sidomos muajin e fundit. Me sa kam dëgjuar ata shkuan në bashki që ta bënin problem këtë gjë. Por punimet sërish vijuan. Mbaj mend se në hyrje të pallatit ishte çarë shtresa e betontë. Sa herë që dilnim nga shtëpia, thoshim me vete “mbase shpëtojmë dhe nuk na zë ndonjë orë të natës”. Për fat ndodhi në orët e ditës, kur shumica e banorëve nuk ishin brenda.
Sa banorë ka pallati juaj?
Kur ra pallati, rreth tij kishte dy-tre fëmijë, por shpëtuan.  Në pallat mund të ketë pasur pak njerëz. Këtë e them me siguri se nga 20 hyrje që ka ndërtesa, 16 prej tyre janë të populluara, ndërsa katër të tjera, janë lënë bosh nga ata që kanë emigruar.
Kur kanë filluar punimet në pjesën e poshtë të pallatit?
Ka mbi një muaj. Shqetësimi ka filluar tek ne më herët, kur e morëm vesh se do të gërmohej këtu. Të them të drejtën, e kam parandierë një ngjarje të tillë. Madje të gjithë e kishim thënë me njëri-tjetrin rrezikun që na kanosej. Shumë prej familjarëve ankoheshin për krisje të shtëpive nga dita në ditë. Askush nuk e vuri ujin në zjarr me gjithë ankesat e banorëve. 
A keni pasur të tjerë familjarë në momentin e ngjarjes?
Nuk kam pasur asnjë në shtëpi, as burrin dhe as fëmijët. Kam  qenë e vetme, kështu që jam mirë që nuk dëgjoj faktin që të kem pasur qoftë edhe ndonjë të afërm. Dëgjova që është nën rrënoja komshija e pallatit Valbona së bashku me fëmijën e saj. Uroj dhe i lutem Zotit të jetë gjallë, pasi do të jetë katastrofë për familjen e saj po të ketë humbur jetën. Në pallat ka qenë edhe një grua 60-vjeçare por se kush nuk e di. Nuk dihet se nga do të na vijë fundi kështu që uroj mos të na ndodhin të tilla tragjedi. Sa për shtëpinë që iku, shëndeti në radhë të parë sepse të tjerat vijnë më vonë. Megjithatë, tashmë shteti duhet të mendojë edhe ne, pasi jemi në mes katër rrugëve, dhe nuk kemi se ku të jetojmë.

Berisha: Hetim i plotë për përgjegjësit

Kryeministri Berisha ka kërkuar dje hetim të plotë mbi ngjarjen e ndodhur në qytetin e Gjirokastrës. Kreu i qeverisë udhëtoi drejt qytetit jugor sapo mori vesh lajmin e shembjes së pallatit pesë katesh. Berisha pa nga afër ngjarjen në lagjen “11 janari” si dhe u takua me të mbijetuarit e tragjedisë. Sipas tij “Qeveria do të bëjë çdo përpjekje që të mund të zgjidhë problemet më të mprehta të situatës së krijuar. Gjithashtu, duhet të bëhet dhe do të bëhet një hetim i plotë, i gjithanshëm i të gjitha përgjegjësive për këtë ngjarje tragjike, e cila ka tronditur gjithë Gjirokastrën. Hetimi ka filluar dhe policia kriminale, prokuroria, policia gjyqësore e të tjera struktura, po merren me çështjen e hetimit të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë”. Duke folur gjatë orëve të para pas shembjes së pallatit Berisha bëri të ditur se një grup gjeologësh nga Tirana do të vlerësojnë mundësinë e shkarjeve të tjera të tokës. “Po pritet të vijnë me helikopter një ekip i gjeologëve nga Tirana dhe një ekip nga Janina, që do të ndihmojnë në kërkimet në rrënoja. Këto dy ndihma janë shumë të nevojshme. Gjeologët do të japin disa vlerësime më objektive mbi mundësinë e shkarjes ose jo të mëtejshme të tokës, ndërkohë që, nëpërmjet diktimit të personave se ku ndodhen, do të mund të përcaktohet më qartë se çfarë operacioni shpëtimi do të ndërmerret”, theksoi kreu i qeverisë. Berisha tha se “Sidoqoftë, po priten edhe disa mendime ekspertësh, ose për të shembur pjesën e mbetur të pallatit, i cili në fakt është postuar disa metra nga shkarja e bazamentit, ose për të vazhduar kërkimet në ato rrënoja, të cilat, nga momenti në moment, ashtu siç ju i keni parë dhe filmuar edhe vetë, mund të pësojnë rrokullisje të mëtejshme”.

Hetuesit bllokojnë lejen e firmës

DASHAMIR BIÇAKU & Piro Nase

Hetuesit bllokojnë dokumentet e dhënies së lejes së ndërtimit të godinës që provokoi shembjen e pallatit 5-katësh në Gjirokastër.
Bashkë me këto veprime janë shoqëruar në komisariatin e këtij rrethi 17 përfaqësues të firmës së ndërtimit “Arti” sh.p.k. Mësohet se mes këtyre janë dy pronarët e firmës, Sotiraq Janora, ish-drejtor i Hipotekës së Gjirokastrës dhe Aristotel Haxhia, si dhe inxhinierët Kristo Ristani, Njazi Çobani dhe Luan Bufin. Po ashtu blutë kanë shoqëruar dy inxhinierë që janë kapur në Kakavijë, në tentativë për t’u larguar në drejtim të Greqisë, një ish-punonjës të hipotekës që ka dhënë certifikatën e pronësisë, punonjës të Inspektoratit të Ndërtimit, etj. Ata po mbahen nën hetim për mosmarrjen e masave të sigurisë teknike gjatë punimeve për të mos rrezikuar banesat pranë.
Blutë kanë kryer disa kërkime mbrëmjen e djeshme për të gjetur dy drejtues të tjerë të firmës, me të cilët nuk është lidhur dhe që nuk janë gjetur nga policia.
Bllokimi i të gjithë dosjes përkatëse në zyrën e Urbanistikës dhe të KRRT-së së qytetit të Gjirokastrës është kryer dje pasdite nga oficerë të Antikrimit Ekonomik të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këta të fundit kanë mbërritur aty, për të nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes së paradites së djeshme në Gjirokastër. Një pallat u shemb, për shkak se në themelet e tij një firmë ndërtimi kishte nisur të hidhte themelet për një objekt të ri. Ngjarja e ndodhur dje paradite në Gjirokastër ka qenë arsyeja që një grup ekspertësh të hetimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme, të mbërrijnë në këtë qytet. Mes tyre sipas burimeve ndodheshin dhe ekspertë nga Drejtoria e Antikrimit Ekonomik, si dhe nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve në Policinë e Shtetit. Sapo kanë mbërritur në qytetin e Gjirokastrës ata kanë kryer bllokimin e dosjes së lejes së ndërtimit të këtij objekti. Leja e ndërtimit, gentplani përkatës, projekti, dokumenti i pronësisë dhe të dhëna të tjera. I gjithë dokumentacioni është bllokuar bashkë me një pjesë të dokumentacionit të projektit përkatës të këtij objekti. Specialistët e Antikrimit Ekonomik kanë kërkuar të gjejnë në dosjen e lejes së ndërtimit mangësitë dhe problemet që sollën shembjen e pallatit, që ishte buzë greminës. Ekspertët përkatës të Policisë dhe specialistët e ndërtimit të mbërritur në vendin e ngjarjes nga një këqyrje paraprake të kryer prej tyre kanë hedhur dyshimet e para se pallati i rrëzuar ka pësuar shkëputje për shkak të humbjes së bazamentit të themeleve të tij. Vetëm 10 metra më tej, në një terren të pjerrët, prej gati një muaji, pallati i projektuar për t’u ndërtuar nga “Arti” sh.p.k, kishte nisur të ndërtohej. Pikërisht afërsia e tij me pallatin parafabrikat të shembur, terreni i pjerrët, mendohet paraprakisht se ka shkaktuar edhe shembjen e objektit pesëkatësh.

Të shoqëruar

Sotiraq Janora pronar i firmës

Aristotel Haxhia pronar i firmës

Luan Bufi inxhinier

Njazi Çobani inxhinier

Kristo Ristani inxhinier

Rama: Autorët të dalin para drejtësisë
Kryetari socialist Edi Rama ka ndërprerë dje Dialogun për bujqësinë që po zhvillonte në qytetet veriore të vendit dhe ka mbërritur pasditen e djeshme në Gjirokastër. I shoqëruar nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Rucci, Rama ka qenë në gërmadhat e pallatit të shembur. Duke takuar banorët dhe të afrimit e tyre, Rama kërkoi shpëtimin e njerëzve nën gërmadha dhe nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve të tragjedisë. “Është trishtim i madh të shikosh nën gërmadha jetë të pafajshme, dhe revoltën time dhe të tyre që shkaktarët e kësaj tragjedie të dalin para përgjegjësive. Mendoj se është një rast që duhet një hetim i gjerë për të nxjerrë shkaqet dhe përgjegjësitë. Të mendohet për shpëtimin e jetëve të njerëzve pastaj të nxirren përgjegjësitë, për të bërë që raste të tilla të mos përsëriten më”, tha Rama. Kreu socialist më pas ka qenë në spitalin e qytetit, ku ka vizituar një 48-vjeçare të plagosur nga shembja e pallatit.

Koçi: Tragjedia,  histori korrupsioni
Kryetari i PS “91”, Petro Koçi ka reaguar dje menjëherë pas tragjedisë së ndodhur në qytetin e Gjirokastrës. Në një prononcim për mediat ai tha se ngjarja është pasojë e korrupsionit, teksa kërkoi që drejtësia të veprojë menjëherë dhe të ndëshkojë përgjegjësit e asaj që ndodhi në qytetin jugor. “Tragjedia e djeshme në Gjirokastër është pasojë e korrupsionit dhe e pangopësisë. Fajtorët duhet të dalin para përgjegjësisë. Qytetarëve iu bë jeta Gërdec”, theksoi kreu i PS 91, Petro Koçi.

“Firma gërmoi më shumë se projekti”

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Pilo Dhame, me profesion inxhinier është dhe anëtar i KRRT-së. Ai tregon se në gusht të këtij viti, vetë ai e ka kundërshtuar dhënien e lejes për ndërtimin e pallatit të ri, pranë atij ekzistues. Pas ngjarjes së djeshme, Dhame e cilëson firmën të papërgjegjshme, duke gërmuar aq sa ka provokuar dhe shembjen e ndërtesës.
A është normal gërmimi i një masivi shtufor në një masë sa të shkaktojë një tragjedi si kjo që ndodhi?
Është e pafalshme për këdo, që ka vepruar në këtë mënyrë, por them se kjo iniciativë e tyre ka qenë me të vërtetë e guximshme. Që të gërmosh një masiv shtufor deri në atë masë sa të dalin në pah edhe plintat mbrojtës të ndërtuara vite të shkuara të ndërtuara pikërisht për frenimin e këtij masivi dheu, është jo logjike. Më vjen keq që ndodhi kjo ngjarje, sepse në radhë të parë, e pësuan ata që nuk kishin fare lidhje me ndërtimin e objektit, që pretendohej të ngrihej në afërsi të tij.
Si anëtar i KRRT-së së Gjirokastrës, mbani mend si është pritur aprovimi i këtij shesh ndërtimi nga ky organ? 
Mbaj mend që ka pasur mjaft debate në KRRT-në e Bashkisë së Gjirokastrës për dhënie leje për ndërtim. Mirëpo ky organ ndonëse jep viston për ndërtimin e objekteve, qofshin këto një ose 100 katëshe, merr për bazë studimin e kryer nga projektuesit, inxhinierët e firmës që ka marrë përsipër ndërtimin e veprës. Mandej është edhe Këshilli Teknik në Bashki, i cili mban përgjegjësi për ciklimin e lejeve të ndërtimit. Ky këshill ka në përbërje nga teknikët e thjeshtë e deri tek gjeologu, që merret me studimin e masivit të dheut, mban apo s’mban x kate, sa dhe në çfarë niveli do të gërmohet etj. Për rastin në fjalë mbaj mend që ka pasur mjaft debate pasi edhe vetë shefi i urbanistikës së Gjirokastrës, nuk ka qenë dakord me dhënien e lejes së ndërtimit e gjithashtu edhe kryebashkiaku Bime, por në fund votimi në KRRT bëhet me shumicën e thjeshtë.
Sa anëtarë ka KRRT-ja e Gjirokastrës dhe cilët përfaqësues janë? 
KRRT e Gjirokastrës përbëhet nga 17 anëtarë pra, numër tek për efekt vote. Prej këtyre tre anëtarë i ka Prefektura, ka inxhinierë të pavarur, të cilët janë të paangazhuar në ndonjë punë shtetërore si dhe drejtuesit e zyrës së urbanistikës dhe drejtuesit e Bashkisë.
Cilat kanë qenë debatet që kanë përfshirë anëtarët e KRRT-së?
Duke qenë me eksperiencë, teknikët dhe inxhinierët e ndryshëm kanë parë rrezikun, që mbart ajo zonë pasi dhe në kohën e mëparshme, në këtë vend si pasojë e terrenit të rrëshqitshëm, nuk lejohej ndërtimi. Këto rregulla, thyhen nga faktorët që nuk njohin teoritë dhe praktikën e studimeve në terren dhe ndodhi kjo që ndodhi. Është një ngjarje që u paralajmërua nga ne të gjithë, ndonëse u dha leja për ndërtimin e objektit. Kam dëgjuar ankesat e banorëve, por që kanë qenë thjesht në kuadrin e fjalëve dhe jo të një reagimi të fortë.
Është punuar me kujdes nga ana e firmës, që merrej me gërmimin e truallit shtufor?
Po të ishte punuar me kujdes nuk do të kishte ndodhur plasaritja e më pas rrafshimi i godinës. Por një fakt që mua më ka shqetësuar është se firmës ndërtuese të kompleksit të banimit, i është dhënë leja të gërmojë deri në masën e duhur, por mjetet gërmues kanë përparuar edhe disa metra në thellësi, duke bërë shtendosjen e plinteve dhe rrëzimin e masivit shtufor. Pra, me fjalë të tjera nuk janë zbatuar nga firma caqet e gërmimeve që ishin ligjëruar nga KRRT.
Si inxhinier me përvojë që jeni, pallati ka pasur mungesë bazamenti apo i është shkaktuar kjo mangësi nga gërmimet e ndërmarra aty poshtë?
Pallati me sa mbaj mend ka përfunduar në vitin 1992 dhe është ndërtuar me kontribut vullnetar nga punëtorët e ish-ndërmarrjes Ushqimore. Ai është nisur në vitin 1986 dhe me zor ka përfunduar pas gjashtë vitesh. Ka pasur 20 hyrje të formatit 2 plus 1 dhe 1 plus 1 me pesë kate. Ishte një pallat që mbante sepse ishte ndërtuar në krye të një terreni të pjerrët, por që ndërhyrjet në pjesën e poshtme, i shkaktuan rrëzimin.

Gazetari që humbi shtëpinë: Njoftuam bashkinë kur u ça muri

Sokrat Papadhopulli, gazetar sportiv dhe ish-mësues i matematikë –fizikës, është një nga banorët që humbi shtëpinë si pasojë e shembjes së pallatit. E quan veten “me fat” që dje, në mëdyshjen për të qëndruar në shtëpi, apo për të dalë bashkë me pensionistët e tjerë, fitoi kjo e dyta. Sipas tij, kohët e fundit pallati kishte pësuar çarje. Me një ankesë qytetare i ishin drejtuar bashkisë. Ndërkohë që kryebashkiaku Flamur Bime, deklaroi dje pas ngjarjes, se nuk ishte paraqitur asnjë ankesë deri më tani në institucionin që ai drejtonte. Papadhopulli rrëfeu dje për “Panorama” ngjarjen dhe gjithçka ai kishte humbur.
Z.Papadhopulli, ku ishit kur ndodhi ngjarja?
Isha jashtë. Dal thuajse çdo mëngjes me pensionistë të tjerë për të pirë një kafe. Për fat kam shpëtuar. Sot (dje) po mendoja të qëndroja në shtëpi për të parë një ndeshje boksi. Në momentin e fundit vendosa dhe dola. Fati më shpëtoi.
Si e mësuat ngjarjen?
Kolegët e mi nxitonin drejt lagjes time. I pyeta se ku po shkonin. Më thanë se kishte rënë një pallat në lagjen ku unë banoj. Më shkoi mendja te pallati im pasi shenjat e rënies i kishte dhënë me kohë. Nxitova hapat. Kur arrita në afërsi pashë pamjen anësore të godinës që ishe rrafshuar. Aty u ndala, pasi dhe nuk më bënin më këmbët të ecja. Ishte rrafshuar apartamenti im. Nuk dija asgjë për fatin e njerëzve.
Po familjarët tuaj ku u ndodhën?
Momentalisht jetoj vetëm pasi gruan dhe vajzën e kam në Greqi. Jam me fat që nuk kam qenë këtu, por jo plotësisht me fat sepse më ka humbur shtëpia dhe historia e familjes sime, një histori e tërë më është shkatërruar nga zhdukja e apartamentit ku banoja.  
Kishit vënë re më parë ndonjë anomali në muret e apartamentit?
Ka pasur plasaritje jo vetëm apartamenti im, por edhe i komshinjve të tjerë. I jemi drejtuar bashkisë për situatën. Ndiheshim të kërcënuar ndaj me një ankesë kërkuam të merreshin masa, por askush nuk na e vuri veshin. Mbaj mend që në të hyrë të pallatit, ishte formuar një si çarje që dita-ditës po bëhej një kanal. Kjo ishte arsyeja që ne u shqetësuam pa masë dhe që ju drejtuam më pas organeve bashkiake, por këto të fundit nuk kanë dhënë asnjë lloj përgjigje rreth shqetësimit tonë.
Nuk i jeni drejtuar me ndonjë shkresë apo peticion Bashkisë për rrezikun që ju kanosej?  
Me sa di unë nuk është realizuar ndonjë peticion i tillë që të jetë shkruar dhe firmosur nga të gjithë ne, por thjesht një ankesë qytetare, e cila kishte për qëllim marrjen e masave pse jo dhe të ndalimit të punimeve që kishin filluar prej mëse një muaj.      p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›