E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria maqedonase dhe PDSH-ja fillojnë bisedimet

Në Maqedoni filluan bisedimet mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, rreth gjashtë kërkesave që PDSH-ja bëri para se të dilte nga qeveria. Kryeministri kishte hedhur poshtë kërkesat e PDSH-së, që kishin të bënin me gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni. Gjatë fundjavës, zyrtarë të lartë të qeverisë u përfshinë në akuza të mëdha dhe kryeministri akuzoi PDSH-në se po punonte për interesa të huaja. Pas akuzave serioze nga zyrtarë të lartë të qeverisë, partnerët e koalicionit filluan sërish bisedimet. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, tha se do të bëjë ç'është e mundur për të shmangur një krizë më thellë politike. “Zyrtarisht kanë filluar bisedimet me kryeministrin në lidhje me gjashtë kërkesat e PDSH-së. Bisedimet intensive do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme që të arrihet marrëveshje”, - u shpreh Thaçi. Nga kabineti i kryeministrit Gruevski gjithashtu është konfirmuar fillimi i komunikimit mes këtyre dy subjekteve që deri të premten e kaluar ishin pjesë e koalicionit qeveritar. Zëdhënësi i qeverisë, Ivica Bocevski, tha: “Nga ana e z. Thaçi dhe PDSH-së u kërkua që të bisedohet për gjashtë kërkesat e tyre. Kryeministri asnjëherë nuk ka refuzuar bisedime për çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen e Maqedonisë. Por kryeministri nuk pranon bisedime me kërcënime dhe kushtëzime”.

Lavrov: “Lindja e Mesme të mos e njohë Kosovën”

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, u bëri thirrje vendeve të Lindjes së Mesme që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, pasi kjo mund të inkurajonte ndarjen e rajoneve të tjera. “Dëshiroj të tërheq vërejtjen ndaj thirrjeve që vendet joislamike dhe joarabe, po u bëjnë vendeve islamike për të njohur pavarësinë e Kosovës”, - tha Lavrov për gazetën “Rossiyskaya”.
Lavrov ka vlerësuar se nuk është e rastit që shumë vende, duke përfshirë edhe vendet islamike, nuk po njohin pavarësinë e Kosovës. Komentet e Lavrovit erdhën para takimit të tij me liderët e vendeve të Lindjes së Mesme.

Shtypi botëror

“New York Times”: “Kosova, sfida e ndërkombëtarëve”
E përditshmja amerikane, “New York Times”, lidhur me zhvillimet më të fundit në Kosovë shkruan se përshkallëzimi i dhunës në pjesën veriore të Mitrovicës, të dominuar nga shumica serbe, është shndërruar në një sfidë për vendosmërinë e autoriteteve ndërkombëtare për ta ruajtur shtetin e ri. Gazeta pohon se zhvillimet në veri gjithashtu paraqesin vështirësitë, me të cilat
përballet aleanca e NATO-s dhe 16 mijë trupat e saj në Kosovë. Gazeta citon një zyrtar të lartë të NATO-s në Bruksel, i cili në kushte anonimiteti ka thënë se ekziston një hendek i rrëshqitshëm midis çështjeve politike dhe atyre të sigurisë. Shumë zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, privatisht kanë pranuar se nëse serbët vazhdojnë të angazhohen për ndarjen e territorit të Kosovës, Bashkimi Europian nuk mund të bëjë shumë për ta ndalur këtë gjë.

“Christian Science Monitor”: “Dhuna në Mitrovicë synon ndarjen”
E përditshmja amerikane “Christian Science Monitor” citon burime të larta të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, të kenë thënë se episodi i fundit në Mitrovicë shihet si një hap tjetër drejt ndarjes së veriut të Kosovës dhe në këtë kuadër shënon sfidë të madhe për misionin e ardhshëm europian në Kosovë. Gazeta vëren se incidenti gjithashtu mund të jetë hapi i parë në kuadër të strategjisë nacionaliste për radikalët, që të fitojnë pushtetin gjatë zgjedhjeve të muajit maj në Serbi. “Radikalët duan probleme në terren, kjo ndihmon synimin e tyre dhe në këtë mënyrë secili në Serbi arrin të shqetësohet”, - citon “Christian Science Monitor” një zyrtar të lartë të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë.

“Times”: “Brukseli, më i vendosur për Kosovën”
E përditshmja londineze “Times” shkruan se vala e fundit e dhunës në Kosovë nxit shqetësime për konflikte të reja në Ballkan dhe shënon përshkallëzimin më të dhunshëm që prej trazirave të marsit para katër vjetësh. Situata në Mitrovicë ka goditur rëndë edhe shpresat e europianëve, se kriza rreth pavarësisë së Kosovës tashmë është tejkaluar. Si e tillë rrezikon nxitjen e trazirave të reja në veri të Kosovës, por njëkohësisht afron edhe më shumë mundësinë e ndarjes etnike të territorit. Megjithatë, gazeta shkruan se Brukseli është ai që duhet të ketë një qëndrim më të prerë. Brukseli duhet t’u ofrojë serbëve zgjidhje të vërteta, midis një përgjigjeje të ashpër ushtarake, nëse Beogradi vazhdon të nxisë protesta të tjera, dhe një pakoje zemërgjerë të ndihmave për ekonominë e Serbisë, nëse Beogradi përpiqet t'i qetësojë pasionet në rajon, shkruan e përditshmja “Times”.

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›