E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncimi: Ja pse jemi kundër politikës së Hrushovit

“Zëri i popullit” komenton politikën anti-staliniste të BS-së. Si u largua nga politika e bllokut komunist Nikita Hrushovi
Vetëm një tradhtar, një armik i komunizmit mund të vërsulet kundër Stalinit, udhëheqësit të madh të Partisë Komuniste, të popullit sovjetik dhe të lëvizjes komuniste ndërkombëtare me shpifjet, me shpifjet dhe sulmet më të përbindshme. Nikita Hrushovi ua ka kaluar edhe imperialistëve, reaksionarëve dhe renegatëve më të tërbuar të komunizmit, Kauckit, Trockit, Titos e Gjilasit, në sulmet e tij antikomuniste kundër Stalinit. E çfarë s’ka thënë ai kundër Stalinit! Ai e ka quajtur vrasës, kriminel ordiner, “despot të tipit të Ivanit të tmerrshëm”, “diktatori më i madh në historinë e Rusisë” Stalinin, atë që për 30 vjet me radhë udhëhoqi Partinë e bolshevikëve dhe popullin sovjetik nga fitorja në fitore, atë që mbrojti me guxim vijën e Leninit të madh, atë që frymëzoi Stahonovët dhe heronjtë e ndërtimit socialist në Bashkimin Sovjetik, atë që ngriti peshë dhe udhëhoqi me vendosmëri punëtorët e fshatarët, gjithë popullin sovjetik, në luftën e madhe patriotike, atë me emrin e të cilit në gojë u hodhën në sulm mbi armiqtë dhe u vranë Matrosovët, Kosmodemjanskajat, heronjtë e Stalingradit e qindra e qindra mijëra heronj e luftëtarë të tjerë. A nuk kini menduar, shokë, vallë përse shprehet një urrejtje kaq e egër për Stalinin, përse ai sulmohet e diskreditohet me kaq tërbim, përse nxihet me kaq paturpësi e gjithë periudha e lavdishme e mburrjeve për krerët e imperializmit, për Ajzenhauerin, Kenedin, Xhonsonin etj., të cilët Nikita Hrushovi i ka quajtur njerëz të arsyeshëm, që gëzojnë besimin absolut të popullit të tyre, që preokupohen seriozisht për ruajtjen e paqes. Vetëm një sharlatan, një njeri pa karakter e pa cipë mund të veprojë ashtu si veproi Nikita Hrushovi ndaj Stalinit, të cilit ai, sa ishte gjallë, i thurte ditirambe, e quante mik të afërt e shok lufte të Leninit të madh, mik të popullit e at të dashur, mareshalin e madh të fitores kundër fashizmit, gjeniun e udhëheqësin më të madh të njerëzimit. Si është e mundur që ju, komunistët sovjetikë, populli sovjetik, arritët fitore kolosale historike duke pasur në krye të partisë e të shtetit një njeri që bënte vetëm krime e gabime të gjithfarëllojshme? A ka absurditet më të madh e falsifikim më trashanik të historisë se sa kur mohohen meritat e mëdha të Stalinit si udhëheqës i partisë e komandant suprem i Ushtrisë Sovjetike dhe ngrihen në qiell roli e meritat e Nikita Hrushovit, i cili paraqitet si strateg i madh jo vetëm i Luftës Patriotike, por edhe i luftës civile, si pionier i erës kozmike etj? Është për të ardhur keq se edhe disa shokë lufte të Stalinit, të cilët bashkë me të dhe nën udhëheqjen e tij drejtuan operacionet e mëdha gjatë luftës patriotike, tani, sipas direktivave të Nikita Hrushovit, falsifikojnë historinë, mohojnë atë që kanë pohuar dje vetë me gojën e tyre. Ai, duke ngritur dorën kundër Stalinit, ngriti dorën kundër vetë sistemit socialist sovjetik. Ai ka frikë ta pohojë këtë publikisht, me gjithë thirrjet që i bëhen nga aleatët e tij më konsekuentë për t’i shkuar deri në fund likuidimit të pasojave të kultit. Por fakti është se duke i quajtur tri dekadat e udhëheqjes së Stalinit një anomali, një largim nga rruga leniniste dhe duke punuar intensivisht për minimin e sistemit socialist, Nikita Hrushovi po shkelmon vetë sistemin socialist sovjetik dhe po udhëheq evolucionin paqësor të degjenerimit të socializmit në Bashkimin Sovjetik. Dhe për ironi, këtë rrugë tradhtare social-demokrate ai e quan kthim te Lenini, ndjekje të rrugës së vërtetë leniniste. Ky është qëllimi dhe kuptimi i vërtetë i gjithë zhurmës së Nikita Hrushovit mbi të ashtuquajturën luftë kundër kultit të individit dhe pasojave të tij. Grupi i Nikita Hrushovit ka ngritur dorën kundër gjësë më të shtrenjtë, armës më të fuqishme të popullit sovjetik për mbrojtjen e fitoreve të revolucionit dhe për ndërtimin e komunizmit, kundër diktaturës së proletariatit dhe partisë komuniste. Ai po orvatet ta çarmatosë popullin, t’i heqë nga duart pushtetin, ta degjenerojë partinë. Ai ka shkelmuar e hedhur poshtë vijën konsekuente marksiste-leniniste të Partisë Bolshevike, traditat dhe frymën e saj revolucionare, i ka imponuar partisë një kurs oportunist e revizionist në të gjitha fushat e jetës e të veprimtarisë, kurs që ka vënë në rrezik fitoret historike të socializmit në Bashkimin Sovjetik, për të cilat partia dhe populli sovjetik kanë luftuar me heroizëm të madh, kanë bërë sakrifica të shumta, kanë derdhur gjak. Për të realizuar këtë kurs klika revizioniste e Nikita Hrushovit ka bërë spastrime të mëdha të vazhdueshme në radhët e kuadrove të partisë e të shtetit, si në qendër, ashtu edhe në bazë, duke larguar të gjitha kuadrot tek të cilët ajo nuk kish besim dhe duke vendosur në vend të tyre kuadro besnikë të kursit të saj. Brenda dhjetë vjetëve Hrushovi ka përjashtuar nga Komiteti Qendror, i zgjedhur në Kongresin e 19-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në vitin 1952, mbi 70 për qind të anëtarëve të tij dhe në Kongresin e 20-të rreth 50 për qind të anëtarëve të tij. Po kështu, në prag të Kongresit të 22-të ai, nën pretekstin e qarkullimit të kuadrit, zëvendësoi 45 për qind të anëtarëve të komiteteve qendrore të partive të Republikave të Federuara, të komiteteve të partisë të qarqeve dhe të krahinave, si dhe 40 për qind të anëtarëve të komiteteve të partisë të qytetarëve dhe të rajoneve. Në vitin 1963 klika e Hrushovit zëvendësoi edhe bazën e prodhimit më tepër se gjysmën e anëtarëve të komiteteve të partisë në qarqe. Njerëzit që rrethojnë sot Nikita Hrushovin dhe që i shërbejnë atij përbëjnë një shtresë të privilegjuar, të degjeneruar nga pikëpamja ideologjike, që ka tradhtuar çështjen revolucionare të klasës punëtore sovjetike, që lufton kundër marksizëm-leninizmit dhe socializmit. I vetmi preokupacion i tyre është forcimi i pozitës së vet ekonomike dhe i sundimit të vetë politik. Grupi i Hrushovit, i mbështetur te kjo shtresë, po kthen Partinë e lavdishme Komuniste të Bashkimit Sovjetik në një parti revizioniste dhe shtetin socialist sovjetik në një diktaturë të klikës hrushoviane. Tezat e tij mbi të ashtuquajturën “parti të të gjithë popullit” dhe “shtet të të gjithë popullit” janë një mashtrim i madh. Ato s’kanë asgjë të përbashkët me marksizëm-leninizmin dhe shërbejnë vetëm për përgatitjen e terrenit për restaurimin e kapitalizmit. “Ecja përpara, d.m.th. drejt komunizmit, kalon përmes diktaturës së proletariatit dhe ndryshe as që mund të bëhet”, - ka thënë Lenini. Duke e shpallur të likuiduar diktaturën e proletariatit në Bashkimin Sovjetik, grupi i Nikita Hrushovit bën një hap prapa shumë të rrezikshëm drejt kapitalizmit. I ashtuquajturi “shtet i gjithë popullit” i Nikita Hrushovit s’është gjë tjetër veçse një maskë për të fshehur diktaturën e klikës së tij, që drejtohet kundër klasës punëtore dhe fshatarësisë sovjetike, kundër popullit sovjetik. Nikita Hrushovi lufton vetëm kundër diktaturës së proletariatit dhe është për ruajtjen e pushtetit shtetëror, për ta përdorur atë si mjet për realizimin e qëllimeve të veta kundërrevolucionare dhe për të mbajtur të shtypur e të nënshtruar popullin dhe komunistët sovjetikë. Po kaq e rrezikshme është edhe teza mbi partinë e të gjithë popullit, e cila fshin karakterin klasor proletar të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe hap rrugën për degjenerimin e partisë marksiste-leniniste në një parti revizioniste. Këtyre qëllimeve u shërbejnë të gjitha organizimet dhe riorganizimet në parti e në pushtet që ka ndërmarrë Nikita Hrushovi herë pas here. Shokë, pushteti sovjetik, pushteti i parë socialist në botë që vendosi Revolucioni i Tetorit, Partia e madhe Komuniste e Bashkimit Sovjetik, ndodhen përpara rrezikut shumë serioz të degjenerimit të tyre në një pushtet borgjez dhe në një parti revizioniste borgjeze. Në këto momente pasiviteti është i pafalshëm dhe vdekjeprurës. Përpara masave të gjëra të anëtarëve të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të popullit sovjetik shtrohet imperative detyra e lartë dhe e shenjtë historike: të mbrohet diktatura e proletariatit, të mbrohet Partia Komuniste e themeluar nga Lenini. Nikita Hrushovi, që kur ka ardhur në fuqi, ka marrë një sërë masash e reformash në fushën e ekonomisë, e sidomos të bujqësisë, rreth të cilave ka bërë një zhurmë të madhe. Por cili është qëllimi dhe kuptimi i vërtetë i këtyre masave dhe reformave? Ato janë në kundërshtim me parimet e socializmit e të komunizmit, ato janë një orvatje për të futur në ekonominë socialiste sovjetike forma të tilla organizimi dhe metoda të tilla drejtimi të marra hua nga eksperienca e Jugosllavisë titiste dhe e vendeve kapitaliste. Grupi i Nikita Hrushovit e ka zëvendësuar parimin socialist të shpërblimit sipas punës me stimulin material të absolutizuar e fetishizuar prej tij, ka minuar drejtimin e planifikuar e të centralizuar të ekonomisë, ai po inkurajon parimin kapitalist të luftës për fitime, nxit konkurrencën e lirë kapitaliste, shkatërron pronën e përbashkët të të gjithë popullit dhe e copëton atë, sikurse veproi me stacionet e makinave dhe të traktorëve.

Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 6 tetor 1964
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

Në numrin e së enjtes do të lexoni:

Si u shit Nikita Hrushovi tek imperialistët për një grusht me dollarë

Rruga e rrezikshme ku Nikita Hrushovi po e fut Bashkimin Sovjetik

Kush janë miqtë e rinj të Nikita Hrushovit dhe drejtimet e tyre politike

Për më shumë na ndiqni në numrin e radhës

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›