UNMIK, KFOR: Dhuna në Mitrovicë e orkestruar nga qeveria serbe
Presidenti Sejdiu: “Qeveria serbe, përgjegjëse e situatës”. Rusia: “Dhuna e NATO-s ndaj serbëve, shkelje e Rezolutës 1244”
Dhuna e pushtuesve serbë ndaj forcave ndërkombëtare ka qenë e orkestruar dhe në mesin e këtyre pushtuesve ka pasur edhe punonjës të Ministrisë të Punëve të Brendshme të Serbisë. Kjo ka qenë deklarata e zëvendësshefit të UNMIK-ut, Lerri Rosin, e cila ka vazhduar edhe me reagime të tjera të autoriteteve të UNMIK-ut, KFOR-it në Kosovë dhe presidentit Fatmir Sejdiu. Përfaqësuesit ndërkombëtarë u shprehën se urdhri për largimin e pushtuesve të Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës u bë për shkak të informacioneve se këta persona kishin si qëllim të vinin nën kontroll edhe objekte të tjera të UNMIK-ut. Të njëjtin qëndrim lidhur me ngjarjen në Mirovicë ka mbajtur edhe presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. Sipas mediave kosovare, presidenti ka bërë përgjegjëse të gjitha strukturat paralele dhe qeverinë serbe për ngjarjet e fundit. "Përgjegjës janë edhe ata që në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë ushtruar dhunën dhe sollën tragjedinë e Mitrovicës duke dashur që me veprimet e tyre të instrumentalizuara më së miri të krijojnë paqëndrueshmëri në Kosovë”, - u shpreh kreu i shtetit kosovar. Dhuna ndaj UNMIK-ut është dënuar nga presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk. Gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, Turk ka deklaruar se nuk mund të kërkohet respektimi i plotë i Rezolutës 1244 nëse nuk respektohet nga UNMIK-u. Sipas tij, e vetmja mënyrë për zgjidhjen e problemeve në Kosovë është nëpërmjet arsyes dhe qetësisë. “Nuk ka dobi nga dhuna. Dëshirojmë që situata të qetësohet”, - ka thënë Turk, duke shtuar se, “në këtë kontekst duhet të sigurohet respektimi i plotë i institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Është e nevojshme të sigurohet respektimi i plotë i UNMIK-ut, që është institucion i rëndësishëm për sigurimin e stabilitetit në këtë rajon dhe sidomos Kosovës si shtet”,-ka thënë ai. Turk ka shtuar se “respektimi i plotë i UNMIK-ut është i domosdoshëm nëse dëshirohet të ruhet rëndësia e Rezolutës 1244”. “Nuk mund të kërkohet ruajtja e kredibilitetit të Rezolutës 1244 pa e respektuar UNMIK-un”, - është shprehur ai.
Ndërkohë, burime të sigurisë në Mitrovicë kanë konfirmuar se një polic ukrainas ka vdekur si pasojë e plagëve të marra gjatë protestës të zhvilluar në veri të Mitrovicës. Kjo protestë është konsideruar si një nga më të dhunshmet që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe UNMIK-u është detyruar të tërhiqet nga kjo zonë duke lënë KFOR-in të mbikëqyrë situatën e krijuar në veri të Kosovës. Por sjellja e protestuesve serbë ndaj forcave ndërkombëtare në Kosovë është parë si normale nga Rusia. Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin, ka kritikuar forcat e NATO-s në Kosovë dhe është shprehur se këto trupa nuk guxojnë të përdorin forcën ndaj personave që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. “Kërkesat e Këshillit të Sigurimit drejtuar NATO-s janë të qarta: Nuk mund të aplikohet kurrfarë dhune ndaj atyre që nuk duan t’i nënshtrohen deklaratës për pavarësi”, - është shprehur Çurkin.
19 Mars 2008