Akuzat e Nexhmije Hoxhës ndaj Hrushovit në mbledhjen e Frontit të Gruas
Gazeta publikon fjalimin e bashkëshortes së Enverit, të marrë nga “Europa e lirë”
VJENË – Zëri i zonjës Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enver Hoxhës, kryetar i Partisë Komuniste Shqiptare, i është bashkuar goditjeve të Tiranës zyrtare ndaj revizionizmit të Moskës. Kjo deklaratë u bë këtë javë, me rastin e 20-vjetorit të Bashkimit të Grave të Shqipërisë, në të cilën zonja Hoxha është anëtare e Presidiumit. Bashkëshorti i saj Enver Hoxha dhe kryeministri Mehmet Shehu ishin në radhën e personave që po ndiqnin takimin. Në qendër të fjalës së zonjës Hoxha, e cila është transkriptuar nga Radio Europa e Lirë, ishte se partitë komuniste të “vërteta” janë duke luftuar kundër dy “armiqve të egër”. Ajo i përshkroi ata si “imperialistë” dhe “revizionistë modernë” të “bashkuar në një front të përbashkët” dhe të kryesuar nga Hrushovi, Kenedi, Titoja dhe të tjerë. Më pas ajo shtoi: “Tradhtari Hrushov bëri një sërë marrëveshjesh të pabesa, koncesionesh të turpshme dhe kapitullimesh. Ai nuk hezitoi të marrë nëpër këmbë sovranitetin e Kubës dhe të nisë pazarin me presidentin Kenedi në shitjen e Kubës, siç ka bërë me Titon, që t’i shitet Shqipëria.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 6 nëntor 1963
Titulli është redaksional
Ndëshkohet Liri Belishova, akuzohet për komplot me Hrushovin
Gazeta tregon historinë e ndëshkimit të ish-partizanes, e cila pati të njëjtën akuzë me Koçi Xoxen
VJENË – Shqipëria ka akuzuar kryetarin e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, se po komploton me një grua komuniste shqiptare, e larguar nga radhët e partisë tre vjet më parë, që të përmbysin pushtetin e Enver Hoxhës. Akuza ishte bërë nga gazeta partiake shqiptare “Zëri i popullit” në një artikull kushtuar 15-vjetorit të Kongresit të Parë të Partisë. Gazeta, e cituar nga Radio Tirana, identifikon si komplotiste të pretenduar, 40-vjeçaren Liri Belishova, heroinë partizane në kohën e luftës dhe anëtare e Byrosë Politike. Ajo ishte përjashtuar nga Byroja dhe Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë në shtator të vitit 1960 për “gabime të rënda”. Zonjusha Belishova është akuzuar për konspiracion kundër udhëheqjes partiake, - një akuzë që e çoi në proces gjyqësor dhe në zbatimin e tij në të shkuarën. Gjatë Kongresit të Parë të Partisë Komuniste, në vitin 1948, një tjetër udhëheqës shqiptar, ish-ministri i Brendshëm Koçi Xoxe, ishte akuzuar për komplot me presidentin e Jugosllavisë, Josif Broz Tito dhe më pas ishte ekzekutuar.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 10 nëntor 1963
Titulli është redaksional
Përgatiti materialet: Albert Gjoka
Në numrin e ardhshëm do të lexoni:
Vdekja e Ahmet Zogut, çfarë shkroi “The New York Times”-i
Të gjitha detajet sesi u nda nga jeta për shkak të sëmundjes në moshën 65-vjeçare mbreti Ahmet Zogu në Foch Hospital, në Suresnes
Si erdhi në pushtet monarku i parë i vendit dhe largimi i tij në vitin 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste
Jeta e Zogut në ekzil dhe momentet e fundit të tij, i shoqëruar nga djali 22-vjeçar, princi Leka dhe bashkëshortja Geraldina
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
19 Mars 2008