E Diel, 1 Nëntor 2026

Japonia njeh pavarësinë e Kosovës, Kroacia do ta njohë sot

Japonia ka njohur shtetin e pavarur të Kosovës. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i këtij vendi, Masahiko Komura. “Shpresojmë që Kosova të kontribuojë në stabilitetin afatgjatë rajonal”,-është shprehur ministri Komura. Ai ka shtuar se Japonia dhe Serbia tradicionalisht kanë qenë mike dhe shpreson që marrëdhëniet miqësore të vazhdojnë edhe pas vendimit më të ri të qeverisë japoneze për njohjen e Republikës së Kosovës, gjë që bie ndesh me pretendimet e Serbisë. Pak ditë pas shpalljes së deklaratës së pavarësisë, Japonia ka qenë ndër vendet e para që e njohu formalisht Kosovën e pavarur, duke deklaruar se shumë shpejt do të vinte edhe njohja zyrtare. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme pritet që pavarësia e Kosovës të njihet edhe nga Kroacia. Kryeministri kroat, Ivo Sanader, ka paralajmëruar mundësinë e njohjes së Kosovës, megjithatë, sipas mediave kroate, një vendim i tillë po kundërshtohet nga një parti serbe, që është partnere e koalicionit qeveritar. Sipas sondazheve të agjencisë “Puls”, 79 për qind e qytetarëve të Kroacisë mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa 21 për qind e tyre konsideron se Kroacia nuk duhet të ngutet me njohjen e Kosovës.

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›