E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohen dy kambistët në flagrancë, u sekuestrohen 3100 usd

TIRANË – Vazhdon ndëshkimi për të gjithë kambistët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të kundraligjshme. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se janë ndaluar shtetasit Gëzim Çelbeqiri 53 vjeç dhe Ilmi Shurdhaj, 57 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi janë kapur në flagrancë pranë Bankës së Shtetit duke ushtruar aktivitet të palicencuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Operacioni është kryer nga specialistët e Seksionit kundër Pastrimit të Parave, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. “Këtyre shtetasve iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 000 dollarë, 100 euro dhe 87 000 lekë”, - pohojnë burimet zyrtare. Ndaj tyre ka nisur hetimi për veprën penale “Ushtrimi i aktivitetit të palicencuar”

Ndalohen dy të miturit, vodhën motorin “Papaq”

TIRANË – Dy të mitur kanë vjedhur një motor në një nga zonat e kryeqytetit, por pas denoncimit nga pronari është bërë i mundur ndalimi i tyre. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se janë ndaluar “M. C, dhe G. C, përkatësisht 11 vjeç dhe 10 vjeç, banues pranë Fushës së Aviacionit”. Ata dyshohet se janë autorë të grabitjes së motorit tip “Papaq”, me targë TR 257, në anën e pasme të pallateve “Agimi”. Pronari i mjetit bëri kallëzimin në Komisariatin e Policisë Nr. 2 në kryeqytet dhe pas hetimeve u bë e mundur që të identifikohen dy autorët. Në prani të prindërve të të miturve është marrë deklarimi dhe ndaj tyre ka nisur hetimi në gjendje të lirë.

Ataku, gjendet i vdekur mbi tarracë 72-vjeçari

TIRANË – Teksa ndodhej mbi tarracën e një pallati pranë rrugës “Sami Frashëri” në Tiranë, ka pësuar një atak në zemër dhe vetëm në orët e para të mëngjesit është gjetur i vdekur. Burimet zyrtare të policisë së Tiranës bëjnë të ditur se “rreth orës 07.30 të ditës së martë, forcat e Komisariatit të Policisë Nr.2 morën njoftim se është gjetur i vdekur një 72-vjeçar, banues në Tiranë. “Nga veprimet hetimore dhe proceduriale rezultoi se ky shtetas vuante nga zemra dhe merrte kurim të vazhdueshëm”, - pohojnë burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës. Materialet rreth kësaj çështjeje i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›