Pronarët dhe industrialistët, kundër vendimit të qeverisë për pagën minimale
Vendimi më i fundit i Këshillit të Ministrave pritet të hasë me kundërshtimin e komunitetit të biznesit, të cilët vazhdimisht i kanë kërkuar kësaj të fundit që të marrë masa lehtësuese ndaj tyre. Fasonistët shprehen se janë përballur me ulje të sasisë së parasë dhe humbje të tregjeve ku eksportonin mallrat e tyre. Vetëm disa javë më parë, përfaqësues të bizneseve të tekstileve në vend, me anë të një letre të hapur, i kërkuan qeverisë krijimin e disa lehtësirave në pagimin e kontributeve shoqërore për punonjësit e rinj, për shkak të vështirësive të hasura në gjetjen e tregjeve. Gjatë apelit për ndihmë ndaj qeverisë, kryefjala e kërkesave të biznesit ka qenë “heqja e sistemit të pagave referuese për sektorë të ndryshëm të ekonomisë”. Aplikimi i saj është kundërshtuar vazhdimisht nga bizneset, të cilët e kanë cilësuar atë si një masë frenuese që qeveria ka marrë ndaj tyre dhe se në shumicën e rasteve niveli i pagave referuese është më i lartë se sa paga që paguhen punonjësit. Deri tani, prodhuesit shqiptarë të këpucëve dhe të rrobave kanë pushuar nga puna ose kanë pezulluar përkohësisht më shumë se 10 mijë punonjës, kjo për shkak të rënies së kërkesës nga klientët perëndimorë. Sipas përfaqësuesve të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, “kriza po godet 400 prodhues rrobash dhe 80 prodhues këpucësh, të cilët punësojnë rreth 100 mijë vetë në fabrikat dhe ndërmarrjet e tyre”. Ata shprehen se, më shumë se gjysma e fabrikave të këpucëve dhe rrobave që punonin për klientë gjermanë, italianë apo grekë, kanë ndaluar ose pjesërisht, ose plotësisht aktivitetin e tyre.
Prodhimi me fason, si ka ecur në vite
E stimuluar nga krahu i lirë i punës, industria me fason në Shqipëri ka vazhduar të rritet në vitet e fundit, edhe pse produktet e saj nuk mbajnë akoma stampën “Made in Albania”.
Rreth 68 për qind e veshjeve dhe këpucëve të prodhuara në vend shkon në Itali dhe pjesa e mbetur shkon kryesisht në Greqi dhe Gjermani. Në vitin 2007 rieksportimi i veshjeve dhe këpucëve të përfunduara u rrit me 19 për qind, ndërsa në vitin 2008 u rrit me 4.5 për qind. Gjatë së njëjtës periudhë, importi i materialeve për prodhimin e rrobave dhe këpucëve ra me 5.5 për qind. Produktet e veshjeve dhe këpucëve arritën 60 për qind të totalit të eksporteve shqiptare në vitin 2008. Eksportet kanë rënë respektivisht me 11.6 për qind dhe 14.9 për qind në janar dhe shkurt të këtij vitit. Megjithatë, në mars pati një rritje prej 5.9 përqindësh. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se rritja e ekonomisë në Shqipëri do të jetë 0.4 për qind në vitin 2009, pas rritjes prej 6.8 për qind në vitin 2008. Por qeveria është optimiste dhe pretendon se rritja do të jetë të paktën 4 për qind.
15 Maj 2009