Topi: Faktet historike të mos shtrembërohen nga politika

Topi me shkrimtaren amerikane Kejt Lajnberri
Presidenti Bamir Topi priti dje në zyrën e tij shkrimtaren dhe publicisten amerikane, Kejt Lajnberri, e cila ndodhet në Shqipëri për të mbledhur dëshmi e fakte historike dhe për të hedhur dritë mbi shpëtimin dhe strehimin nëntëjavor të 30 ushtarakëve amerikanë, pas rrëzimit të një avioni sanitar në nëntor të vitit 1943. Në këtë takim ishte e pranishme edhe zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Deborah Xhons. Në njoftimin për shtyp të zyrës së Presidencës thuhet se kreu i shtetit vlerësoi mbështetjen që SHBA kanë dhënë në Luftën e Dytë Botërore. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë te historia interesante e shpëtimit të ushtarakëve e infermierëve amerikanë nga banorë të fshatrave jugore të Shqipërisë, kreu i shtetit vuri në dukje virtytin shqiptar të besës dhe mikpritjes, çka bëri të mundur shpëtimin e 30 jetëve aleatësh në një zonë të pushtuar nga nazistët gjermanë, duke nënvizuar gjithashtu se ngjarje të tilla shënojnë vlera të rëndësishme njerëzore, por dhe të historisë tradicionale të miqësisë dhe partneritetit mes Shqipërisë dhe Amerikës. Ngjarje të tilla, që nxjerrin në pah karakterin dhe vlerat reale të shqiptarëve, duhet të shërbejnë edhe si një apel për historianët në mënyrë që e vërteta dhe faktet historike të mos shtrembërohen sipas optikës së politikës, duke u bërë sa më të njohura e të vlerësuara publikisht, tha Topi në këtë takim. Nga ana e saj, shkrimtarja Kejt Lajnberri, pasi i dorëzoi Topit një letër nga i vetmi që ka mbetur ende gjallë nga rrëzimi i aeroplanit, nga veterani i ushtrisë amerikane, Harold Hejz. Do të vazhdoj tu bëj jehonë e të ngre lart vlerat e mrekullueshme të shqiptarëve, si bujaria, mikpritja, solidariteti i njerëzve të një vendi të vogël e të varfër dikur, por me pasuri të mëdha shpirtërore, tha shkrimtarja.