Ambasadori danez: Ja se si mund ta luftoni korrupsionina

Ambasadori danez, Karsten Ankjaer Jensen
Ambasadori danez në vendin tonë, Karsten Ankjaer Jensen, vlerësoi klimën politike në vend pas miratimit të disa ligjeve me shumicë të cilësuar. Nga qyteti i Përmetit, ku mori pjesë në një konkurs mes të rinjve të shkollave të mesme për njohuritë rreth BE-së, ai dha edhe një këshillë se si mund të luftohet korrupsioni. Unë mendoj se Gërdeci është një ngjarje e trishtë që duhet ti ishte dhënë zgjidhje kohë më parë, po tani unë nuk dëshiroj të bëj komente rreth Gërdecit. Por ajo që dua të them për korrupsionin është se korrupsioni nuk është diçka që kërkon përpjekje të mëdha për tu bllokuar. Për të stopuar korrupsionin ju thjesht nuk duhet të bëni korrupsion, nuk është si të ndërtosh një shtëpi të re, thjesht mësohuni të mos i bëni disa gjëra, tha Karsten Ankjaer Jensen. Sipas tij, nëse ekziston vullneti politik 12 rekomandimet mund të plotësohen brenda këtij viti. 12 rekomandimet që BE i ka kërkuar Shqipërisë duhen plotësuar. Kjo është diçka që duhet kryer, një kërkesë shumë normale që nuk do të thotë të ngjitesh në Everest. Kjo është diçka që duhet bërë dhe ju mund ta bëni brenda këtij viti nëse ekziston vullneti politik. Nëse ekziston vullneti politik Shqipëria mund të celebrojë 100-vjetorin e pavarësisë me statusin e vendit kandidat. Miratimi së fundi i disa ligjeve me konsensus nga të dy palët dëshmon se situata mund të jetë më shpresëdhënëse. Gjithsesi, ende kërkohet angazhim dhe vullnet politik dhe akoma shumë për të bërë nga të dyja palët dhe nga qeveria për të përmbushur 12 standardet që BE i ka vendosur Shqipërisë. Është plotësisht e mundur dhe përgjegjësi e të gjitha palëve, theksoi më tej ambasadori danez, vendi i të cilit mban edhe Presidencën e radhës së BE-së.
Apeli
Unë jam optimist për të ardhmen e Shqipërisë dhe jam i sigurt se ka të ardhme. Pavarësisht luhatjeve të politikës, që sigurisht janë evidente, mendoj se njerëzit duhet të kërkojnë më shumë nga liderët e tyre dhe liderët ti përfaqësojnë denjësisht ata. Vetëm nëse bëhen përpjekjet e duhura dhe plotësohen 12 rekomandimet, statusi i vendit kandidat do të arrihet, u shpreh dje ambasadori danez në vendin tonë.