E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria merr 40 mln USD për rrugët rurale

 

BB: Projekti parashikon gjetjen e kredive, që shkojnë në 200-400 milionë dollarë

Banka Botërore jep 20 mln USD kredi, “IDA” 15 milionë USD dhe OPEC financon me 5 mln USD projektin

Qeveria ka mundur që të sigurojë 40 milionë dollarë për projektin e rrugëve rurale që tashmë është prej kohësh kryefjalë në deklaratat e vazhdueshme të kreut të qeverisë. Banka Botërore ka akorduar 20 milionë $ për financimin e rrugëve dytësore dhe atyre rurale në Shqipëri, me qëllim zhvillimin e transportit dhe ekonomisë. Ndërsa 20 milionë dollarët e tjerë janë financuar nga OPEC dhe qeveria shqiptare, përkatësisht me 15 mln USD dhe 5 mln USD. Sipas Bordit të Drejtorëve të BB, projekti përfshin ndërtimin e 1000-1500 km rrugë dytësore, por do të mbështesë gjithashtu edhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor. “Sipas një raporti të kohëve të fundit, varfëria dhe rrjeti rrugor janë problemet më të mëdha në këto zona, pas punësimit dhe të ardhurave për frymë”,- ka deklaruar Martin Humphreys. Projekti, sipas tij, do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të jetesës në këto zona, duke bërë të mundur integrimin e tyre në jetën sociale dhe ekonomike. Zbatimi i këtij të fundit, përbëhet nga tre faza, në të cilat parashikohet: rehabilitimi i plotë i rrugëve dytësore, i atyre komunale dhe implementimi i mbështetjes institucionale. Banka Botërore bën të ditur se në këtë financim, për momentin janë të siguruara 40 milionë $ kredi, nga të cilat 20 milionë USD janë dhënë në formë kredie nga Banka Botërore, 15 nga fondi i OPEC dhe 5 milionë $ nga qeveria. Shqipëria u bë pjesë e BB në vitin 1991, në një kohë që në total, janë zbatuar 64 projekte, me një vlerë prej 925 milionë $. Projekti, që tashmë prej një viti vazhdon të jetë kryefjalë e fjalimeve të herëpashershme, është diskutuar me Bankën Botërore, institucion që ka bërë të ditur se qeverisë shqiptare tashmë i duhen financues të tjerë për t’i shkuar deri në fund këtij projekti. Nga ana tjetër, FMN e ka kufizuar Buxhetin e Shtetit në një deficit prej 5.2 për qind të PBB për 2008, nga 7.9 për qind që kishte llogaritur deri dje qeveria. Pra, qeverisë iu këshillua nga Fondi që të mos fuste vendin më tej në borxhe, pasi pasojat mund të jenë të rënda. Rritja e borxheve me jashtë sjell destabilitet në vend, sipas Fondit, në një kohë që borxhet po përdoren edhe për rritje pagash dhe pensionesh. Por, sërish, mbetet për t'u sqaruar fakti se këto 400 milionë dollarë borxhe që do merren për këto rrugë, do të jenë pjesë e një viti apo të shumë viteve me radhë, apo do të mbeten një shifër për t'u harruar, siç ishte fondi rekord i investimeve për vitin 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›